90 ditë nuk ishin të mjaftueshme për trupin gjykues në rastin ndaj ish krerëve të UÇK-së.
Kësisoj, për marrjen e një vendimi dhe shpalljen e tij, gjyqtarët kërkuan edhe 60 ditë shtesë.
Në këtë formë, Gjykata Speciale zgjati afatin për shpalljen e aktgjykimit nga 19 maji deri më 20 korrik të vitit 2026.
Këtë vendim Specialja po e arsyeton me kompleksititetin e çështjes.
“Paneli vëren se, gjatë rrjedhës së procedurave, ai mori dëshminë e afërsisht 270 dëshmitarëve dhe pranoi 5,497 prova materiale si prova. Transkripti i këtyre procedurave është 29,238 faqe i gjatë. Paneli vëren më tej kompleksitetin e procedurave në këtë çështje. Në veçanti, faktet e çështjes mbulojnë më shumë se një vit e gjysmë kohë dhe përfshijnë vende të shumta të dyshuara krimi. Prandaj, për të siguruar që të mund të ndërmarrë një vlerësim të plotë dhe të drejtë të të dhënave të provave dhe të ofrojë një mendim të arsyetuar siç duhet që merr parasysh vëllimin e konsiderueshëm të provave dhe kompleksitetin e procedurës, Paneli konstaton se rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, domethënë 60 ditë, për shpalljen e Aktgjykimit të Dhomës së Gjykimit”, thuhet në vendimin e Speciale.
Por aktgjykimi mund të mos shpallet as me 20 korrik.
Krejt kjo meqë Specialja nuk e mohoi mundësinë për një zgjatje tjetër, nëse as për këto 60 ditë, trupi gjykues nuk do të mund të marrë një vendim.
E kjo zgjatje nuk është befasuese për njohësit e drejtësisë.
“Me vetë faktin se procesi gjyqësor ka zgjatur jashtëzakonisht shumë, ka pasur shumë seanca gjyqësore, shumicën e provave gjatë administrimit në Gjykatë i kanë shqyrtu. Por, megjithatë, ata janë të obliguar që për gjithë ato prova me dhënë sqarime, të gjitha m’i lexu, të gjitha m’i analizu një nga një, e pastaj së bashku. Është proces me shumë letra që merr kohë”, ka thënë Musa.
Zgjatja e afatit kohor, konsiderohet se do të mundësojë shqyrtimin deri në detaje të secilës provë.
“Marrja e afatit 30 ditor ose 90 ditor tash nga trupi gjykues për me shpallë aktgjykimin, konsideroj se nuk do të paraqiste problem vetëm e vetëm që të analizohen mirë dhe në detaje të gjitha provat në atë mënyrë që aktgjykimi të jetë me patjetër lirues, sepse nuk ka prova fajësuese që i ngarkojnë me krime lufte krerët e UÇK-së, sepse ata nuk kanë kryer krime”, u shpreh Rrecaj.
Për këtë cështje, të mërkurën ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Përmes një komunikate, PDK thotë se zvarritjet e pafundme janë dëshmi se ky proces është ndikuar nga kalkulimet politike.
Ndryshe, 234 ditë zgjati përballja maratonike mes Prokurorisë së Specializuar në Hagë dhe mbrojtjes së ish krerëve të UÇK-së.
Aty u dëgjuan 125 dëshmitarë të prokurorisë, dy dëshmitarë të mbrojtjes së viktimave dhe shtatë dëshmitarë të mbrojtjes.
Ndërsa për ish krerët e UÇK-së, prokuroria speciale befasoi të gjithë kur kërkoi dënime me nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre.



