Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, u është drejtuar qytetarëve në diasporë duke u bërë thirrje që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Osmani e ka cilësuar mërgatën si një ndër shtyllat më të rëndësishme të vendit, duke theksuar rolin e saj historik në periudhat më të vështira për Kosovën.
Ajo është shprehur se takimet dhe diskutimet me diasporën kanë qenë pjesa më e bukur e mandatit të saj në Presidencë.
“E keni dëshmuar në të kaluarën, e po e dëshmoni edhe sot – ju asnjëherë nuk e latë Kosovën vet. Edhe tani, atdheu ka nevojë për ju, për fjalën tuaj, për përkushtimin tuaj, për pjesëmarrjen tuaj. Më 7 qershor, ju duam përsëri bashkë. Ejani në Kosovë, ose regjistrohuni për të votuar. Për gjatë pesë viteve që isha në Presidencë, pjesa më e bukur e angazhimit tim kanë qenë pikërisht takimet me ju, pritjet për ju, diskutimet me ju, festimet e përbashkëta për të arriturat tona të përbashkëta e ndarja e dhimbjes në momentet e rënda – si një familje që s’ka kush e ndan sepse kurrë nuk ia kthyet shpinën Kosovës. E mbatë gjallë në momentet më të rënda, e ringritët atëherë kur ishte e rrënuar e i dhatë shpresë atëherë kur duhej më së shumti”, ka deklaruar Osmani.
Në mesazhin e saj, ajo u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të kontribuojnë sërish përmes votës së tyre, duke theksuar se pjesëmarrja e diasporës është thelbësore për forcimin e shtetit.
“Edhe tani, do ta bëjmë së bashku. Siç e kam thënë edhe kur vendosa që 28 dhjetori data e zgjedhjeve të kaluara, sa më afër e kemi mërgatën në çdo vendim, aq më e fortë do të jetë Kosova sepse ne jemi krenarë me ju. Kosovën e kemi të përbashkët pavarësisht ku jetojmë. Regjistrohuni, votoni, ndikoni. Ju dua shumë.”, ka përfunduar ai.








