Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdon periudha për njoftimin e pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje, si dhe deklarimin e koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se afati 7-ditor ka nisur më 1 maj dhe do të përfundojë më 7 maj 2026.
Gjatë kësaj periudhe, të gjitha partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës janë të obliguara të njoftojnë KQZ-në, përmes Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të subjekteve politike, lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, mospjesëmarrjen apo formimin e koalicioneve.
Sipas KQZ-së, këto obligime vlejnë për 53 partitë politike të regjistruara në vend.
Për informacione shtesë, zyra ka vënë në dispozicion edhe një numër kontakti, 038 200 81 010, i cili është i qasshëm nga ora 08:00 deri në 16:00.







