Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka shqiptuar 18 gjoba ndaj kompanisë KEDS, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak të shkeljeve të konstatuara në njehsorët elektrikë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve është konstatuar se për 18 njehsorë të kontrolluar kishte skaduar afati i vlefshmërisë, duke përbërë shkelje të rregullave në fuqi.
“MINTI gjatë muajit prill 2026, ka vazhduar me verifikimin e ankesat e konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë. Komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të hetimeve, janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë nga shtatë rajone të Kosovës për testim laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK).
“Rezultatet tregojnë se në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 raste është vërtetuar se njehsorëve u kishte skaduar afati i përdorimit”, theksohet tutje në njoftim.
MINTI ka bërë të ditur se ankesat e dokumentuara janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar.
Ndërkohë, raportet zyrtare të komisionit verifikues do t’u dorëzohen edhe organeve të drejtësisë, si pjesë e procedurave hetimore që tashmë kanë nisur.
Ministria ka siguruar se gjatë muajit maj do të vazhdojë me verifikimet, trajtimin e ankesave dhe shqiptimin e gjobave, në bazë të gjetjeve përkatëse.
“Inkurajojmë qytetarët të vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre, duke bashkëngjitur dëshmi, adresë dhe kontakt, përmes platformës së komunikimit në Viber: +383 46 311 000 dhe në adresën elektronike: [email protected]”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







