Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, ka shprehur mirënjohje për njerëzit e minutave të para.
Sipas saj, në çastet kur të tjerët largohen nga rreziku, zjarrfikësit nisen drejt tij.
“Në shpërthime zjarri, në përmbytje, në aksidente apo shpëtim ata janë aty ku sekondat vlejnë më shumë se çkado tjetër. Puna e tyre kërkon guxim të madh por edhe disiplinë”, ka thënë u.d. Presidentja Haxhiu.
Haxhiu ka falënderuar zjarrfikësit për shërbimin e tyre të përditshëm dhe për gatishmërinë që tregojnë në çastet kur qytetarët kanë më së shumti nevojë.
Katër Maji, është ditë e shënuar e shërbimit të zjarrfikësve, ku shtetet organizojnë aktivitete të ndryshme solemne në shenjë të respektit për punën dhe sakrificat që bëjnë zjarrfikësit për t’iu dalë në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë emergjente në raste të ndryshme.
Në këtë ditë të shënuar ndërkombëtare në shtetet e tyre ku veprojnë, zjarrfikësit vizitohen nga institucionet dhe mekanizmat shtetërorë, duke i nderuar me mirënjohje, falënderime, por gjithashtu zjarrfikësit demonstrojnë shkatheshit profesionale që dëshmojnë gatishmërinë emergjente për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në çdo moment. Te ne në Kosovë kjo ditë kalon në heshtje dhe shërbimin e zjarrfikësve e gjen në një pozitë shumë të vështirë në të gjitha aspektet.








