Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mirëpritur prezantimin e një rezolute dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, e cila mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Përmes një postimi në platformën “X”, Konjufca ka shprehur falënderim ndaj kongresmenëve amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, për mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ai ka theksuar se Kosova mbetet e gatshme të kontribuojë në sigurinë e rajonit dhe të komunitetit transatlantik.
“E mirëpres prezantimin e rezolutës dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO, dhe i falënderoj kongresmenët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Kosova është e gatshme të kontribuojë në sigurinë e rajonit dhe të komunitetit transatlantik”, ka shkruar Konjufca.
I welcome the introduction of the bipartisan resolution in the US House of Representatives in support of Kosova’s membership in @NATO, and I thank Congressmen @RepKeithSelf, @RepRitchie, and @RepMikeLawler for their support and steady commitment to security in the Western…
— Glauk Konjufca (@KonjufcaGlauk) May 1, 2026
Ndryshe, Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, nënvizon se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë argument bindës për anëtarësimin e saj në NATO.
“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.
Anëtarësimi në NATO është ndër synimet e kamotshme të Kosovës, qëkurse ajo e shpalli pavarësinë më 2008.
Megjithatë, anëtarësimi kërkon njëzëshmëri nga të gjitha vendet anëtare dhe Kosovën nuk e njohin katër prej tyre.
Prandaj, Self, si nismëtar i rezolutës, u kërkoi Shteteve të Bashkuara t’i nxisin Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Self tha se “njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë”.
Ai argumentoi se përfshirja e Kosovës në aleancë është thelbësore për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë./teve1,info/








