Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka bërë prezantimin e raportit “Rishikimi preliminar për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, të gjeturat e të cilit konstatojnë se janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit gjyqësor.
Qelaj në një konferencë për media deklaroi se për përgatitjen e raportit e kanë angazhuar një autoritet, siç e quajti ai, të pavarur e neutral, për të bërë një vlerësim preliminar për shqetësimet që vit pas viti institucioni i ka adresuar ndaj organeve të ndryshme për këto fenomene. Ai tha se angazhimi i Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit, është bërë bazuar në ekspertizën e tyre profesionale, paanshmërinë e integritetin.
“Raporti konfirmon shqetësimet e ngritura, konstaton se këto shqetësime janë substanciale dhe mjaftueshëm serioze për të justifikuar shqyrtim të mëtejmë institucional. Pra fakti që raporti është preliminar nuk do të thotë që nuk ka arrit me i konstatuar shkeljet në mënyrë të faktuar, por që shqetësimet i vërteton. Dhe për më tepër, në pikën 26 të raportit, qysh në fillim raporti konstaton se mandati i Dhomave të Specializuara ka pasur devijim nga qëllimi fillestar dhe nuk është në frymën e pretenduar nga raporti i Këshillit të Evropës”, tha Qelaj gjatë konferencës për media.
Qelaj nënvizoi se një nga shkeljet e të drejtave të njeriut kanë qenë detajet kohore të paraburgimit dhe të lirimit të parakohshëm.
“Sa i përket çështjes së paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm, dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale, pra me ekipet e mbrojtjes. Dhe për më tepër, veç tjerash raporti konstaton se lirimi në Holandë ku zhvillohet procedura penale nuk është i mundur, duke krijuar një pengesë strukturore që rëndon pozitën e të akuzuarve”, tha ai.
Qelaj foli për kronologjinë e identifikimit të shkeljeve dhe adresimit të tyre. Ai tha se shqetësimet fillestare nga Avokati i Popullit janë ngritur në vitin 2021 edhe janë artikuluar nga vetë të akuzuarit, nga vizita që Avokati i Popullit në atë kohë i ka kryer Dhomave të Specializuara. Këto shqetësime sipas Qelajt janë adresuar edhe gjatë takimit me kryetaren e Gjykatës së Dhomave të Specializuara në maj të vitit 2025.
“Edhe nuk është që kam marrë një përgjigje të qartë nga kryetarja e gjykatës, kështu që unë kam paraqit një kërkesë për një vizitë të dytë në Dhomat e Specializuara, me kërkesë që me u takua me gjykatën, me mbrojtjen, me mbrojtësit e viktimave, me i vizitua të burgosurit aty, por edhe me i monitorua dy seanca gjyqësore. Në nëntor të vitit 2025 kjo vizitë është realizuar dhe pas vizitës ne i kemi dërguar një letër në mënyrë institucionale gjykatës, kryetares së gjykatës, letra është e datës 3 dhjetor 2025. Bashkë me kryetaren e gjykatës, një letër i është dërguar edhe Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës dhe Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në të cilat letra ne kemi paraqitur shqetësimet dhe dilemat që kemi pasur lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në këtë proces gjyqësor”, foli ai për kronologjinë e ngjarjes.
Qelaj tha se kanë konstatuar shqetësime serioze, por që nuk kanë marrë përgjigje për këto shqetësime të adresuara as nga nga Komiteti për Parandalimin e Torturës, as nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
“Kryqi i Kuq Ndërkombëtar është përgjigjur se ka bërë monitorim të hapësirave në qendrën e burgut por që raportet janë të brendshme, pra nuk i bën publike si rregull, ndërsa Komiteti për Parandalimin e Torturës ka konstatuar në letër që ata e kanë marrë letrën dhe do ta shqyrtojnë se si do të veprojnë me tutje, por deri më tash nuk është që kemi marrë një përgjigje konkrete. Gjykata ka qëndruar e heshtur, pra nuk kemi marrë asnjë përgjigje prej asaj date”, ka thënë ai.







