Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve me iniciale F.U., N.S., J.M., B.L. dhe G.H., të cilët dyshohen për disa vepra penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, ata dyshohen për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Prokuroria thekson se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit… në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumentin”, duke sqaruar se njëri prej të dyshuarve është paraqitur me letërnjoftim të falsifikuar në emër të një personi të vdekur që nga viti 1986. Më pas, “me ndihmën e noterit, kanë përpiluar autorizimin kinse S.V. autorizon F.U. në shitjen e parcelave”, dokument i cili është përdorur për regjistrimin e pronave në emra të tjerë në zyrën kadastrale në Ferizaj.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit F.U. dhe N.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë, “kanë përdorur dokumentin e falsifikuar… me qëllim të tjetërsimit të ngastrave kadastrale”, duke kryer kështu veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Ndërkohë, për të pandehurin G.H., i cili është noter, thuhet se “ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurit tjerë”. Në një rast tjetër, ai dyshohet se ka hartuar kontratë shitblerjeje të paluajtshmërisë që përfshinte edhe një parcelë prej 1724 metra katrorë në Zonën Kadastrale Babush i Serbëve.
Prokuroria shton se disa nga të pandehurit e tjerë kanë ndihmuar noterin në kryerjen e veprave penale, “edhe pse kanë qenë në dijeni se i pandehuri NN nuk ka qenë S.V., i cili kishte vdekur në vitin 1986”.
Në një tjetër pikë të rastit, theksohet se ekziston dyshimi që N.S., në bashkëkryerje me një të pandehur tjetër, “kanë blerë sendin e përfituar nga vepra penale”.
Të gjithë të dyshuarit, që nga 28 prilli 2026, ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit.







