Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit, e mbajtur të hënën, ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Bugaqku ka deklaruar se veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje përbëjnë cenim të rendit kushtetues.
Sipas tij, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar qartë standardet që legjitimojnë zgjedhjen e presidentit.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar qartë standardet kushtetuese që legjitimojnë zgjedhjen e presidentit të vendit. Këto standarde parashohin, së pari, që në Kuvend të ketë pjesëmarrje të paktën të 80 deputetëve në momentin e fillimit të procedurës së votimit dhe, së dyti, që në kuti të votimit të jenë 80 vota të deputetëve, qoftë pro apo kundër një kandidati. Meqenëse këto dy standarde nuk u përmbushën, ne vlerësojmë se seanca si e tillë ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe veprimet e zhvilluara përbënin cenim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Duke komentuar kërkesën e përfaqësuesve të Vetëvendosjes që deputetët opozitarë të jenë të pranishëm në sallë, ai ka thënë se një obligim i tillë nuk qëndron.
Bugaqku ka theksuar se, sipas vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, mandati i deputetit është i lirë dhe jodetyrues.
Kjo, sipas tij, nënkupton se deputetët nuk mund të detyrohen të marrin pjesë në seanca apo të votojnë në një mënyrë të caktuar.
“Mandati i deputetit, sipas Kushtetutës së Kosovës, tashmë është sqaruar edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese në tri apo katër vendimet e fundit si mandat i lirë dhe jodetyrues. Kjo nënkupton se deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk mund t’u vlerësohet apo imponohen qëndrimet e tyre politike lidhur me mënyrën se si e ushtrojnë mandatin. Ky mandat nuk është detyrues dhe nuk ekziston asnjë mekanizëm – as nga Gjykata Kushtetuese, as nga Kushtetuta, e as nga ndonjë ligj në Kosovë – që i detyron ata me forcë, apo në çfarëdo forme tjetër, të marrin pjesë në seanca dhe të qëndrojnë aty. Kur thuhet se mandati është i lirë, nënkuptohet se ai është jodetyrues dhe deputetët nuk i përgjigjen askujt përveç Kushtetutës së vendit. Nëse ata vlerësojnë se është në interes të vendit të mos marrin pjesë në seancë apo të mos votojnë, atëherë kjo nuk është një sjellje që duhet të sanksionohet”, ka deklaruar ai./teve1.info/




