Prezantohen dy libra të Latif Mehmetit, “Zëra nga lufta e Kosovës” dhe “Krimet serbe në Llap – nga Apartheidi në Gjenocid” në Prishtinë në kuadër të 27 prillit, Ditës Kombëtare të të Zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë.
Me rastin 27 prillit, Ditës së Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, këto libra iu dorëzuan Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësinë Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Të pranishëm ishin autori Latif Mehmeti, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, përfaqësues të institucioneve, shoqëri civile dhe qytetarë.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se kjo është një punë e jashtëzakonshme që bazohet në të dhëna dhe fakte konkrete.
“Latif Mehmeti që të gjithë e njohim si aktivist i palodhshëm në proceset e ndriçimit të fateve të personave të zhdukur, por njëherësh edhe kryetar i shoqatës ‘Përkorë’ që ka zgjedh një emër shumë simbolik shoqatës, sot prezanton dy libra të tij. Një punë e jashtëzakonshme, janë dy përmbledhje ose dëshmi që bazohet në të dhëna konkrete falë një pune të palodhur të zotit Latifi por edhe një lufte po e përdor me kujdes fjalën, kundër harresës dhe indiferencës në këtë proces”, tha Gara.
Redaktori i librave, Ymer Avdiu i cilësoi si libra të veçantë, pasi që sipas tij, ka intervista të drejtpërdrejta nga terreni.
“Latif Mehmeti ka bërë një punë të jashtëzakonshme, ka marrë shumë përgjegjësi të shumë institucioneve që kanë pasur për detyrë hulumtimin e krimeve që kanë ndodhur në një krahinë të Llapit, një pjesë të Gollakut dhe një pjesë të rrafshit të Kosovës. Është libër i veçantë ngase nuk ka asnjë përfolje, ka deklarata dhe intervista të drejtpërdrejta, hulumtime nga terreni”, tha Avdiu.
Ndërsa autori i librit, Latif Mehmeti ka theksuar se puna në terren ishte sfiduese.
“Puna ime në shoqatën për personat e zhdukur dhe viktimat e luftës në Podujevë ka nisur me përqendrimin e luftës dhe rezultati i punës sime 27 vjeçare është botimi i këtyre dy librave. Puna në terren ka qenë mjaftë sfiduese, ka pasur momente që kemi dashur të tërhiqemi nga puna në terren. Aty tregohet se si forcat serbe iu kanë prerë kokën familjarëve të tyre”, tha Mehmeti.
Këto dy libra të autorit Latif Mehmeti tregojnë për krimet dhe masakrat që forcat serbe kryen mbi popullsinë civile të Kosovës.







