Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se akademik Rexhep Qosja ishte njëri që sfidoi kohën, pushtetin dhe ndërgjegjen tonë kolektive.
Në një postim në Facebook pas seancës solemne që Kuvendi mbajti në nderim të Qosjes, Hamza tha se Qosja na mësoi se liria nuk ka kuptim pa të vërtetën.
“Sot, Kuvendi i Kosovës, me një seancë solemne, nderoi akademik Rexhep Qosjen, një mendje që nuk u pajtua kurrë me heshtjen. Ai nuk ishte vetëm një njeri i dijes. Ishte një zë që sfidoi kohën, pushtetin dhe ndërgjegjen tonë kolektive. Akademik Rexhep Qosja na mësoi se liria nuk ka kuptim pa të vërtetën dhe se mendimi kritik është detyrë, jo zgjedhje.
Kosova sot është më e varfër në prani, por më e pasur në trashëgimi. Lavdi mendimtarit që nuk u përkul kurrë”, ka shkruar Hamza./teve1.info/








