Nënkalimi u rregullua, por platoja mbi të jo.
Kubëzat në mbikalim ende nuk janë shtruar.
Këta gypa, me gjasë do të qëndrojnë edhe gjatë mbi tokë, pa u vënë në funksion.
E gjithë kjo hapësirë do të duhej të rregullohej deri në fund të këtij muaji, megjithatë përfundimi i këtij projekti zor që mund të kryhet edhe deri në fund të vitit, pasi Komuna e Ferizajt nuk ka më para për këtë projekt
Krejt paratë që i pati të planifikuara për të, ia mori përmbaruesi, si shkak i kontratës kolektive.
“Këtë vit është e pezulluar pothuajse gjithçka pasi pothuajse të gjitha mjetet e investimeve kapitale sidomos ne drejtorinë e infrastrukturës i ka marrë të gjitha mjetet, pra afërsish 7 milionë janë të marra nga kontrata kolektive me përmbarim”, thotë Meriton Hajdini-drejtor i Infrastrukturës në Ferizaj.
Madje as projekte të tjera për këtë vit vështirë që do të ketë.
“90 për qind të projekteve janë të pezulluara. Na shkakton dëme edhe neve si komunë që i udhëheqim këto projekte pasi që po duhet me i zgjat kontratat, me hy në obligime të sigurimeve të tenderit gjë që edhe kompanitë në këto raste po dëmtohen”, shprehet ai.
Por s’është vetëm Ferizaj që u dëmtua nga kontrata kolektive.
Pa investime kapitale rrezikojnë të mbesin edhe krejt komunat në nivel vendi.
Sipas asociacionit të komunave, që nga 2022-ta e tutje, mbi 300 milionë u janë marrë komunave nga vendimet gjyqësore.
E edhe më shqetësuese për ta është fakti se një pjesë e madhe po u merret nga përmbaruesit.
“Nga viti 2022 deri në tre mujorin e parë të vitit 2026, në total komunave iu janë marrë nga vendimet gjyqësore mbi 326 milionë euro dhe duke marr parasysh referencave sa i përket procedurave përmbarimore, e gjyqësore, këta përfitojnë rreth 27 për qind të kësaj shume që në total është rreth 88 milionë euro”, thotë Sazan Ibrahimi-drejtor ekzekutiv në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
E vetëm gjatë këtyre tre muajve të parë të vitit, komunat janë dëmtuar mbi 36 milionë euro, ndërkohë që parashikimet e asociacionit janë që deri në fund të vitit, dëmi të arrij në 100 milionë.






