Ka rreth tetë muaj që ndërmarrja “Prishtina Parking” u rikthye në funksion të plotë.
Por anipse vazhdoi punën, kjo ndërmarrje tani po përballet me krizë financiare.
Për këtë, tani po kërkojnë nga Komuna e Prishtinës 700 mijë euro.
Në letrën dërguar pushtetit lokal, menaxhmenti ka specifikuar se 150 mijë euro iu nevojiten vetëm për mbulim të qirasë së objektit.
Përpos kësaj, pakënaqësi si duket kanë edhe punëtorët e kësaj ndërmarrje.
Safet Zuka tregon për televizionin, se kërkesë kryesore e tyre është rritja e pagës.
“Kemi shumë shpenzime, kalojmë kohë shumë të gjatë në rrugë dhe kemi shumë shpenzime të mëdha, rrogat që i marrim për momentin nuk i plotësojnë kushtet tona për me vazhdu me punu në mënyrë të rregulltë… Një prej kërkesave tonë ka qenë edhe të ekzekutohet edhe një gjysmëpagese që e kemi marrë, ende po presim, i kemi dërgu email edhe kryetarit të Prishtinës, Rama dy herë kemi pritë që po na fton ai që me bisedu me të nuk na ka ftu as ai, kështu që po presim”.
Por optimist se kërkesat e tyre do të plotësohen janë nga Sindikata e Punëtorëve të “Prishtina Parking”.
Në të kundërtën paralajmërojnë edhe grevë.
Nga opozita në kryeqytet vlerësojnë së kjo gjendje pasqyron mënyrën e qeverisjes së pushtetit lokal.
“Prishtina Parking” nuk i janë përgjigjur gjatë javës interesimit të televizionit lidhur me këtë çështje.
Ndërsa përfaqësues nga Komuna nuk pranuan të flasin, duke thënë se kërkesa do të hidhet për votim në Kuvendin Komunal më 28 prill.



