Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka dërguar një ekip në Gaza për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të operojnë trupat e FSK-së në kuadër të një misioni paqeruajtës ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, ekipi i FSK-së do të zhvillojë vlerësimin paraprak të situatës në terren dhe do të koordinojë aktivitetet për dislokimin e kontingjentit, i cili do të jetë pjesë e Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza.
Gjatë qëndrimit atje, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet që merren me administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së.
Në këto takime është diskutuar për procesin e integrimit të kontingjentit të FSK-së në mision, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta dhe koordinimin e mbështetjes logjistike.







