Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka akuzuar partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për bllokim të qëllimshëm të procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Qorrolli ka deklaruar se Vetëvendosje është e gatshme të procedojë me zgjedhjen e presidentit, por nuk i ka votat e mjaftueshme për ta siguruar një proces të qëndrueshëm.
Sipas Qorrollit, partitë opozitare kanë krijuar një bllok të përbashkët për të penguar Qeverinë Kurti, duke e cilësuar këtë si një praktikë të njohur në skenën politike.
“Ne sigurisht që do të provojmë ta zgjedhim presidentin e ri të Republikës së Kosovës, por nuk i kemi edhe 14 vota dhe synojmë t’i japim vendit një president stabil. Ka kritere mbizotëruese dhe shumë figura të nderuara në republikën tonë që mund ta ushtrojnë këtë post. Megjithatë, partitë opozitare janë bërë bashkë në një bllok dhe në një sinkron që nuk është i pazakontë. Historia jonë politike ka treguar se PDK dhe LDK shpesh janë unike për ta bllokuar Qeverinë Kurti dhe kryeministrin Kurti. Ajo që nuk ua ka dhënë populli më 28 dhjetor dhe më herët më 9 shkurt, ata po tentojnë ta arrijnë përmes mekanizmave bllokues, duke e zëvendësuar vullnetin e sovranit me marrëveshje tavoline dhe duke mos e lejuar Kosovën ta ketë presidentin e ri”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se opozita është ftuar vazhdimisht në bisedime nga kryeministri Albin Kurti, por sipas tij, këto ftesa janë refuzuar.
“Partitë opozitare janë ftuar vazhdimisht në bisedime. Kjo është shembull i qasjes që ka ndjekur Kurti, në emër të transparencës dhe të parimeve të demokracisë parlamentare, duke ftuar të gjitha partitë që mund të kontribuojnë në zgjedhjen e presidentit, konkretisht PDK-në dhe LDK-në. Megjithatë, të dyja kanë vendosur ta bojkotojnë këtë proces”, ka shtuar Qorrolli.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të LDK-së dhe PDK-së se ofertat e qeverisë kanë qenë joserioze, Qorrolli i mohoi këto akuza, duke theksuar se kryeministri Kurti ka ofruar edhe bashkëqeverisje.
“Nuk mund të cilësohen si joserioze në asnjë rrethanë. Kurti i ka ofruar në mënyrë gjeneroze Abdixhikut pjesëmarrjen në qeveri, përfshirë postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. Takimet kanë qenë të fokusuara në çështjen e presidentit, por në një situatë kur kërkohet konsensus politik për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, është ofruar edhe bashkëqeverisja. Nuk ka gjë më të rëndësishme në demokraci sesa bashkëveprimi politik”, ka theksuar ai.
I pyetur pse Vetëvendosje po insiston kaq shumë në postin e presidentit, Qorolli është shprehur:
“Tash opozita po thotë se VV-ja nuk duhet t’i ketë të tria pushtetet. Megjithatë, Kurti, me gjenerozitet, ka ofruar postin e kryetarit të Kuvendit, por ata e kanë refuzuar, me arsyetimin se shumica parlamentare mbetet sërish te VV-ja. Rezultati i 28 dhjetorit nuk mund të zhbëhet. Tani nuk po e duan as postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa në emër të kundërshtimit të përqendrimit të pushtetit, po synojnë ekskluzivisht postin e presidentit. Por Abdixhiku nuk e ka bërë të qartë në asnjë moment para Kurtit nëse e dëshiron atë post për vete, për LDK-në apo për diçka tjetër”./teve1.info/







