Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Fatos Geci, e cila u bë gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës. Kurti ka sqaruar se kryetarja e grupit parlamentar të VV-së, Albulena Haxhiu, ka distancuar menjëherë deputetin nga komenti i tij.
Në përurimin e Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kurti u shpreh: “Distancimi ka ndodhur nga kryetarja e grupit parlamentar të VV-së. Ju e dini qëndrimin tonë sa i përket Gjykatës Speciale, e cila është një Gjykatë jonormale dhe jo transparente. Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, bartëse e së cilës ishte UÇK dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë.”
Kurti shtoi se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka tërhequr vërejtjen Gecit për deklaratën e tij dhe gjuhën e përdorur. “Në anën tjetër, ju ishit dëshmitarë që kryetarja e Kuvendit, e cila është gjithashtu ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu i tërhoqi vërejtjen dhe ndërpreu fjalën për shkak të gjuhës dhe komentit që bëri”, tha Kurti.
Për më tepër, Kurti ka theksuar se ai është vetëm Kryetar i VV-së dhe Kryeministër, dhe nuk ka kompetenca të trajtojë çështje disiplinore për anëtarët e partive të tjera. “Unë jam vetëm Kryetar i VV-së dhe Kryeministër, nuk jam edhe kryetar i ndonjë komisioni disiplinor, aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër”, ka shtuar ai.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, deputeti Fatos Geci pati përmendur çështjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Naim Murselin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, dhe përmendi se fati i njëjtë do ta përcjellë edhe ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë.









