Deputetja dhe sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se ende nuk kanë pranuar letrën ku kanë kërkuar nga kryeministri Kurti formalizmin e kërkesës për çështjen e presidentit.
Ajo ka thënë se çështja e presidentit kërkon trajtim serioz dhe për këtë i janë drejtuar Kurtit me atë kërkesë.
Çitaku të martën tha s LVV mund ta zgjedh presidentin edhe me partitë tjera.
“Shumica parlamentare nëse është e interesuar për të zgjedhur presidentin nuk e ka opsion të vetëm, bashkëbisedimin ose dakordimin vetëm me PDK-në, ka opsione të tjera. Kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitetin që i takon dhe kemi kërkuar nga z.Kurti që të formalizojë kërkesën e tij karshi PDK-së në një letër të shkruar. Deri në këtë moment një letër e tillë nuk ka ardhë në adresë të partisë”, tha Çitaku, raporton teve1.info.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se kryeministri Albin Kurti, njëherit kryetar i LVV-së është duke vazhduar angazhimet për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Ndërsa, nga LDK kanë thënë se në takimin e fundit ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut është disktuar për një marrëveshje politike.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka refuzuar takimin me Kurtin javën e kaluar për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ai kishte kërkuar formalizim të ofertës së tij, për ta shqyrtuar më pas në organet e partisë.







