Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në 27-vjetorin e Betejës së Koshares ka vlerësuar sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se në Koshare luftuan krah për krah shqiptarë nga të gjitha trojet, ndërsa e cilësoi këtë betejë si një ndër më heroiket e luftës për liri.
Ai ka nënvizuar rëndësinë historike të thyerjes së kufirit, duke e quajtur atë një ëndërr të shumë brezave.
“Përulemi me nderim para heronjve të Brigadës 138 të UÇK-së, bijve të kombit që sakrifikuan gjithçka për liri, sepse besonin se atdheu i lirë ishte mbi gjithçka. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Në të njëjtin mesazh, ai ka përkujtuar edhe 28 luftëtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami” të Kaçanikut, si dhe 32 martirët e vrarë në “Prroi i Rakocit” dhe “Lagjja e Re”.
“Lavdia u përket të gjithë atyre që u vunë në mbrojtje të atdheut”, ka përfunduar ai./teve1.info/




