Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka votuar për shpalljen e konkursit për Avokatin e Popullit.
Në hapje të këtij komisioni është votuar për këtë pikë të rendit të ditës.
Në vijim ka vazhduar deklarimi i ministrit për Vlerat e Luftës, Andin Hoti, i cili është ftuar në takim nga anëtarët e këtij komisioni.
I mbijetuari i masakrës së Dubravës dhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani tha se “mashtruesi duhet të gjykohet për keqpërdorim”.
Kështu u shpreh ai në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, teksa po debatohet për ekspozitën e Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë.
“Vetëm Donikën nuk ka mundur ta mashtrojë. Është në angazhimin e njëjtë kundër luftës çlirimtare”.
Ai tha se iniciatori i kësaj ekspozite i ka mashtruar të gjithë, për çka tha se është fyerje për të gjithë ata që kanë përjetuar masakrat në burgun e Dubravës.
“Mashtruesi duhet të gjykohet për keqpërdorim dhe për vepër penale dhe na ka terrorizuar neve të burgosurit. Ka mund të shkojë në Dubravë, është e hapuë dera. Emrat e secilit, sa janë të plagosur sa të vrarë. Ai nuk e ka bërë. Personi në fjalë është i ekspozuar nga vitit 2002, është kundër UÇK-së. Për individ le të është kundër dhe të bëjë çka të dojë. Kur i sheh këto vrasje, këto janë të burgut të Dubravës, nuk ka lëvizje”, ka thënë ai.
Debati ka vazhduar mes deputetes së PDK-së, Arbnora Salihu e cila tha se ministri për Vlerat e Luftës, Andin Hoti është i rrethuar me ministra që janë kundër UÇK-së.
Ku më pas ka reaguar kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fatmire Mulhaxha Kollçaku për çka debati ka vazhduar kur Salihu i tha “qetësohu” asaj.







