Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për një armëpushim dyjavor dhe qw tw lejohet tranzit i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit.
Palët ndërluftuese ranë dakord të pezullojnë sulmet ndërsa lufta hyri në ditën e saj të 40-të, me shpresat që tani varen nga një marrëveshje paqeje përmes bisedimeve që do të fillojnë në Pakistan të premten.
Ndërkohë, festimet shpërthyen në të gjithë Iranin pas njoftimit dhe shumë udhëheqës botërorë e mirëpritën zhvillimin.
Luftimet që zgjatën disa javë kishin përfshirë pothuajse të gjithë Lindjen e Mesme.
Ministria e jashtme e Arabisw Saudite tha se “mirëpret” njoftimin e armëpushimit.
Ajo tha se shpreson qw armëpushimi do të “çojë në një paqësim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, tha ministria e jashtme në një deklaratë.
Edhe Ministria e Jashtme e Kuvajtit tha se shpreson që armëpushimi të çojë në një “zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të përhershme”.
Si një nga kombet më të prekura nga sulmet iraniane, vendi bëri thirrje për respektimin e armëpushimit për të hapur rrugën për dialog midis palëve ndërluftuese, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Kuvajtit.
Ministria e jashtme e vendit e mirëpriti armëpushimin, duke e konsideruar atë një “hap fillestar drejt uljes së tensioneve” dhe duke bërë thirrje për “ndërtim urgjent mbi të për të parandaluar zgjerimin e tensioneve në rajon”.
Ministria shprehu dëshirën për “respektimin e plotë të njoftimit të armëpushimit” dhe që Irani të “ndërpresë menjëherë të gjitha aktet armiqësore”.
Anwar Gargash, këshilltari diplomatik i Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, tha se “Emiratet e Bashkuara Arabe triumfuan në një luftë që ne sinqerisht kërkuam ta shmangnim”.
“Ne fituam nëpërmjet një mbrojtjeje epike kombëtare që ruajti sovranitetin dhe dinjitetin dhe mbrojti arritjet tona përballë agresionit të pabesë”, tha Gragash në një postim në X.
Ministria e Jashtme e Omanit tha në një deklaratë të publikuar në X se mirëpret njoftimin e një armëpushimi midis Iranit dhe SHBA-së dhe vlerëson “përpjekjet e Pakistanit dhe të gjitha palëve që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund luftës”.
Kurse, Ministria e Jashtme e Irakut tha se “mirëpret” armëpushimin, por bëri thirrje për “dialog serioz dhe të qëndrueshëm” midis SHBA-së dhe Iranit.
Iraku është përfshirë në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, me grupe të armatosura të mbështetura nga Teherani dhe forca amerikane që shkëmbejnë zjarr në një cikël dhune në rritje.
Ministria e Jashtme egjiptiane tha se armëpushimi “përfaqëson një mundësi shumë të rëndësishme që duhet të shfrytëzohet për të krijuar hapësirë për negociata, diplomaci dhe dialog konstruktiv”.
Një zyrtar i lartë i Hamasit e përshëndeti armëpushimin si një “hap të rëndësishëm” në frenimin e hegjemonisë amerikane në Lindjen e Mesme.
“Vullneti i popujve të lirë, të gatshëm të paguajnë çmimin për liri dhe pavarësi, ka triumfuar. Urime popullit dhe udhëheqjes së Iranit dhe ngushëllimet tona për të gjithë martirët”, tha ai në një deklaratë.
Presidenti libanez Joseph Aoun e mirëpriti armëpushimin, duke thënë se shpresonte që vendi i tij të përfshihej në të.
Sulmet izraelite kanë vazhduar ta godasin vendin edhe të mërkurën./Al Jazeera









