Kur Egor Sabinich, 33 vjeç, më në fund u kthjellua pas një nate me të pirë me miqtë në Petrozavodsk, një qytet në veri të Rusisë, ai mendoi se ndodhej në një qendër detoksifikimi. Më vonë e kuptoi se në fakt ndodhej në një zyrë mobilizimi ushtarak.
Ky baba i katër fëmijëve dyshohet se u ndalua nga policia dhe, ndërsa ishte i dehur, pa e ditur nënshkroi një kontratë ushtarake detyruese.
“Ai u mashtrua”, tha një i afërm për Radion Evropa e Lirë. “Jam i sigurt se nuk kishte idenë se çfarë po nënshkruante.”
Grupet ruse të të drejtave të njeriut thonë se raste të tilla po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, me burra të dehur që dyshohet se detyrohen ose mashtrohen të nënshkruajnë kontrata ushtarake.
Sergei Krivenko i grupit rus të të drejtave të njeriut “Qytetari dhe Ushtria” i tha Radios Evropa e Lirë se organizata e tij po merr një numër gjithnjë e në rritje të raporteve të tilla.
“Ose ata (rekrutuesit) nënshkruajnë për të ndërsa është i dehur – duke i lëvizur dorën ose diçka e tillë – ose e bindin ta bëjë këtë”, tha ai.
“Pastaj, kur ai kthehet nga alkooli, rekrutuesi i thotë: ‘Shiko, firmose, kaq. Tani ose do të shkosh në selinë qendrore ose në burg. Eja me mua ose do të shkosh pas hekurave'”, shtoi Krivenko.
Raportet thonë se ushtria ruse po përballet me mungesë të fuqisë punëtore.
“Shkalla e viktimave të Rusisë e tejkaloi shkallën e rekrutimit në janar 2026, pas viteve në të cilat shkalla e rekrutimit i përmbushi vazhdimisht objektivat e zëvendësimit të fuqisë punëtore”, tha Instituti për Studimin e Luftës (ISW).
Që nga nisja e një pushtimi të përgjithshëm të Ukrainës, Moska ka shpallur publikisht mobilizim të pjesshëm në të gjithë vendin vetëm një herë, në vitin 2022.
Meqenëse ai dekret nuk u revokua kurrë zyrtarisht, Kremlini vazhdoi të rimbushte forcat e tij përmes fushatave të vazhdueshme të rekrutimit.
Këtu përfshihen të burgosurit, të pandehurit nën hetim penal dhe shtetasit e huaj.
Ndërsa disa ushtarë me kontratë tërhiqen nga pagat dhe shpërblimet e larta, grupet e të drejtave të njeriut thonë se shtrëngimi, duke përfshirë presionin psikologjik dhe fizik, po përdoret gjithnjë e më shumë për të ushtruar presion mbi rekrutët dhe ushtarët në detyrë aktive që të nënshkruajnë kontrata të pacaktuara.
Një avokat vendas, i cili dëshiroi të mbetej anonim, i tha Radios Evropa e Lirë se policia – ndonjëherë me pretekste të rreme – u imponon kontrata njerëzve të dehur.
“Në disa raste, një oficer policie i jep një kontratë një personi të dehur dhe i thotë se është një urdhër kërkimi. Personi e nënshkruan atë dhe më vonë zbulon se është rekrutuar në ushtri”, tha avokati.
Ai shtoi se kishte paraqitur ankesa në gjykata dhe prokurori në disa raste të tilla: “Edhe nëse personi nuk e ka nënshkruar, kur ta provosh, mund të vdesësh në luftë disa herë.”
Alkooli, droga dhe bixhozi
Ka gjithnjë e më shumë raportime për rekrutë që vuajnë nga varësia ndaj alkoolit, drogës dhe bixhozit.
“Situata po bëhet gjithnjë e më e trishtueshme çdo vit”, tha për Radion Evropa e Lirë analisti ushtarak Alexei Alshansky i projektit “Lamtumirë Armëve”.
“Vëmendja është zhvendosur nga qytetet e mëdha në fshatra, vendbanime dhe zona rurale. Atje, forcat e sigurisë – duke përdorur furgonë policie ose të Komitetit Hetues – po qarkullojnë duke ndjekur listat e hartuara nga autoritetet lokale, duke kërkuar posaçërisht njerëz me varësi nga alkooli”, tha ai.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se vetë rekrutimi po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Kjo është arsyeja pse rekrutuesit, për të përmbushur kuotat, nuk e kanë problem të punësojnë njerëz që janë të varur nga alkooli, sepse marrin bonuse për çdo person që sjellin.
“Dhe cilësia po bie: oficerët e rekrutimit tani ankohen për alkoolistët, drogëtarët dhe të varfrit”, shkroi në shkurt Nigel Gould-Davies i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
“Udhëheqja ushtarake ruse ka nevojë për mish për top, jo për ushtarë të kualifikuar”, tha për Radion Evropa e Lirë Pavel Luzin, një ekspert ushtarak rus në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë Fletcher.
Duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të mobilizimit të ri, pritet që Kremlini të shmangë njoftimin zyrtar të tij, dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këmbëngul se Rusia nuk po planifikon një mobilizim të ri.
“Diskutimi kryesor brenda udhëheqjes ushtarake ruse nuk ka të bëjë me një valë tjetër mobilizimi të pjesshëm, por me përqendrimin e të gjitha burimeve të disponueshme në luftë”, tha Luzin.
“Në fakt, po diskutohet modeli i plotë administrativo-komandar dhe dizajni i tij i nevojshëm institucional”, shtoi ai.










