Pas aprovimit të pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, ka reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, duke e cilësuar përjashtimin e tyre si “padrejtësi sistematike”.
Në reagimin e saj, sindikata thekson se minatorët kanë mbetur jashtë çdo përfitimi, pavarësisht kushteve të vështira të punës dhe kontributit të tyre ndër vite.
Sipas tyre, që nga viti 2016 nuk ka pasur asnjë rritje page, as përfitim nga paga e 13-të dhe as trajtim të dinjitetshëm.
“Kjo nuk është më çështje pagash. Kjo është padrejtësi sistematike. Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikmëri për veten. Çdo vit rritje page. Pagë e 13-të. Vendime të shpejta kur është fjala për privilegjet e tyre. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin. Ndërsa minatori është lënë jashtë çdo llogarie. Që nga viti 2016 pa asnjë rritje page. As pagë të 13-të. As trajtim të dinjitetshëm. Vetëm heshtje dhe harresë. Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të”, thuhet në reagim.
Po ashtu, ata ngritin shqetësime për mospagesën e kontributeve në trustin pensional dhe vështirësitë në realizimin e të drejtave përmes institucioneve gjyqësore.
Sipas reagimit, shumë minatorë dalin në pension në gjendje të rënduar shëndetësore dhe pa mundësi për të shfrytëzuar kursimet e tyre në kohën kur kanë më së shumti nevojë.
“Ky është turp shtetëror. Kjo është përbuzje e hapur ndaj punës, ndaj sakrificës, ndaj jetës së minatorit. Një shtet që shpërblen luksin e pushtetit dhe ndëshkon punën e ndershme nuk është i drejtë. Minatori sot nuk kërkon lëmoshë. Kërkon atë që i takon. Kërkon dinjitet. Kërkon drejtësi.
Dhe ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë. Jo sepse nuk e meriton, por sepse është lënë në harresë. Mjaft më. Kjo heshtje nuk është më durim. Është padrejtësi që po zgjat shumë”, thuhet më tej.
Në fund, sindikata u bën thirrje Ministrisë përkatëse, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të ndërmarrjes që të shqyrtojnë mundësinë e stimulimit financiar për minatorët, duke paralajmëruar se durimi i tyre “po soset”.







