Më 5 mars u takuan për ta zgjedhur presidentin e ri.
E kjo ishte seanca e vetme, që të zgjedhurit e popullit e mbajtën muajin e kaluar.
Ani pse në këtë seancë dështuan, paga si zakonisht iu doli e plotë.
Madje, xhirollogaria e tyre u pasurua edhe me një rrogë tjetër.
Bëhet fjalë për pagën e 13-të, të cilën e morën një pjesë e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pyetja për të, nuk u pëlqeu shumë deputetëve të enjten.
E ani pse pagesa e 13-të nuk i takoi, deputeti nga LDK, Ermal Sadiku, propozoi që kjo të jepet për fëmijët me autizëm në ditën botërore të tyre.
Ani pse jo para kamerës së Tëvë1, Sadiku prapa saj tha se paratë për këtë, do t’i jap nga xhepi i tij.
Ndërsa propozimit, u shpreh i gatshëm t’i bashkohet edhe një tjetër deputet.
“Unë i kamë dhënë disa herë nga një pagë për kategori të tilla, jam i gatshëm”, tha Elmi Reçica-deputet i PDK-së.
E dikush tjetër, thotë se bamirësia është personale.
“Mendoj që bamirësia është shumë personale edhe gjithkush e jep ku mendon që është më e dobishme për shoqëri”, tha Avdullah Klinaku-deputet i LVV-së.
E rrogën e 13-të e mori edhe Besnik Tahiri.
Por, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha se po mendon për një kategori tjetër.
Por, ani pse para kamerës u shprehen të gatshëm, deri në mesdite asnjë cent nuk shkoi të enjten në Qendrën për Autizëm në Prishtinë.
Për Tëvë1, këta të fundit thonë se duan ligj të veçantë për autizëm, jo ndihma të tilla.
“Miratojeni ligjin, autizmi nuk pret, Për neve është shumë e rëndësishme që politikat me qenë ato të cilat i shtyjnë ligjet në interes të kategorive me aftësi të kufizuar, që e bëjnë jetën me të lehtë dhe më të mirë për ta”, tha Hatixhe Hoxha, drejtoreshë e shoqatës së “Autizmit”.
Ndryshe, pagën e 13-të s’e gëzuan vetëm ata që në ulësen e deputetit u ulën për herë të parë, apo ata që nuk i kanë mbushur një vit angazhim në punë të shtetit.






