Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se rruga drejt bërjes së gjuhës shqipe plotësisht zyrtare në nivel shtetëror duhet të kalojë përmes depolitizimit të kësaj çështjeje.
Në një intervistë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Gashi ka theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është një çështje e kahmotshme, që daton që nga periudha e Jugosllavia dhe nga themelimi i shtetit të pavarur maqedonas.
“Problemi me përdorimin e gjuhës shqipe është i kahmotshëm, që nga themelimi i Maqedonisë së Pavarur, por edhe gjatë kohës në Jugosllavi. Ne duhet të përpiqemi që gjuha shqipe një ditë të bëhet gjuhë zyrtare e plotë në nivel të shtetit. Mendoj se kjo është edhe në interes të shtetit të Maqedonisë, por rruga për ta arritur këtë qëllim duhet të jetë depolitizimi, jo politika ditore”, ka deklaruar ai.
Sipas Gashit, përdorimi i shqipes duhet të trajtohet si një nevojë e natyrshme e qytetarëve dhe jo si çështje politike.
Ai ka shtuar se qytetarët maqedonas që e mësojnë dhe e flasin shqipen do të jenë më të privilegjuar në shoqëri.
“Duhet ta depolitizojmë këtë çështje dhe ta bëjmë përdorimin e shqipes një nevojë të natyrshme për qytetarët, sepse jam i bindur se çdo maqedonas që e flet shqipen do të jetë më i privilegjuar”, ka shtuar Gashi.
I pyetur për përhapjen e gjuhës shqipe tek maqedonasit, Gashi ka thënë se nuk ka të dhëna të sakta, por ka vlerësuar se perceptimi është se numri i tyre është i vogël, kryesisht për shkak të politizimit të çështjes.
“Nuk kemi të dhëna të sakta por perceptimi është shumë i vogël, sepse kjo çështje është tepër e politizuar. Prandaj mendoj se duhet të gjejmë mënyra për ta bërë gjuhën shqipe të dashur për bashkëqytetarët tanë, që ata ta duan dhe ta flasin pa animozitet. Ky proces varet edhe nga ne dhe, megjithëse mund të kërkojë kohë, duhet të ecim drejt këtij synimi”, ka përfunduar Gashi.




