Janë pozitë kyçe në menaxhimin e operacioneve policore.
Por Policia e Kosovës ka kohë që po përballet me mungesë të rreshterëve.
Anipse një konkurs ishte hapur në korrik të 2024-tës, i njëjti ishte anuluar nën dyshime për manipulime në testim.
Që nga ajo kohë, një numër i madh postesh të kësaj grade kanë mbetur bosh.
Një gjë të tillë thonë edhe burimet e televizionit brenda këtij institucioni.
Por se kur pritet të hapet një konkurs, nga Policia nuk kanë treguar për Tëvë1.
Mirëpo mungesa e këtyre eprorëve, vlerësohet se ndikon negativisht në punën e policëve në terren.
“Mungesa e gradimit të rreshterëve pengon edhe avancimin në karrierë të zyrtarëve policorë pasi ka ende policë sipas një udhëzimi administrativ gradimeve, ata çdo katër vjet e kanë të drejtën me hy në testin e rreshterit, ata që e kalojnë kualifikohen, pastaj pas tri vitesh kanë të drejtën me hy në test për toger, pastaj për dy vite për kapiten, major dhe deri në kolonel”, thotë Reshat Maliqi –kolonel në pension i Policisë së Kosovës.
Andaj plotësimi i këtyre vendeve, po kërkohet të jetë i menjëhershëm.
“Koha është kalu edhe shumë herët premtimet kanë qenë që brenda 2-3 muajve, por nga njohuritë që unë i kam është pengesa kryesore tash ministri që e ka pengu udhëzimin administrativ të gradimeve dhe ka thënë që do ta rishikojmë këtë e rishikimi i tij po zgjat që dy vite e më tepër dhe ende nuk është dhënë ndonjë sinjal që të fillohet me procesin e gradimit” , shprehet Maliqi.
Të njëjtën kërkesë e ka edhe një ish-epror policie.
“Është një vakuum i tërësishëm pasi që faza e parë ose stadi i parë i veprimeve me patrullat etj është rreshteri që udhëheq ai dhe është një fazë burimore ku vazhdimisht me problematikat e paraqitur në çdo vend ai i menaxhon së bashku me policët dhe ai udhëheq me sektorin e patrullave, edhe sektorëve tjerë relevantë, grada e rreshterit është e domosdoshme për Policinë e Kosovës e ka rëndësinë e vet, sikurse edhe gradat tjera”, thotë Refki Morina –nënkolonel në pension.
Në mungesë të tyre, pozitat e rreshterëve zëvendësohen me policë të rinj.



