Në fshatin e lindjes u kthye përsëri.
Madje, Hamdi Istrefi ndërtoi edhe shtëpi e nisi të merret me blegtori, këtu në Kovaçicë të Mitrovicës.
Por ideja për kthim të përhershëm në fshat nuk i doli ashtu siç e mendoi.
Tash e sa kohë, ai po përballet me mungesë të rrymës.
Ai thotë se KEDS-i nuk e shtriu rrjetin e energjisë në këtë pjesë të fshatit që rishtazi filloi të ripopullohet.
“Vetëm me agregat qysh po mundemi me ia dalë se rrymë nuk kemi, unë kam investu në stallë, kam ble lopë e dhi. Mungesa e rrymës i sjell gjitha problemet, po rryma po na pengon shumë”, thotë banori Hamdi Istrefi.
Istrefi thekson se KEDS-i nuk u lejoi as që një pjesë të shtyllave t’i vendosin me mjete vetanake.
“E kemi pru rrymën deri lart aty me iniciativë tonën, kanë ardh pas dy dite e kanë hek me polici, i kanë marrë kabllot dhe shtylla”.
Të njëjtin hall e kanë pronarët e 30 shtëpive të tjera malore, që investuan në këtë fshat.
Këta thonë se shpenzuan para të majme, por investimi po u shkon dëm pa rrymë.
“Ka kushtuar mbi 200 mijë euro, plus rrugën çka kemi investuar përmbi 40 mijë euro. Gjithë atë investim e me qëndrua në terr unë nuk mundem”, thotë banori Sejdi Istrefi.
Në mungesë të rrjetit të ri, ky thotë se u lidh në atë ekzistues, por që KEDS e shkyçi përsëri.
“Djali ka investuar vetë i ka pru deri këtu shtyllat dhe e kemi ngjit rrymën, me orë e krejt, dy herë kanë ardhë për me lajmërua edhe nuk e kanë lajmëruar, dy herë e kanë këputë”, thotë ai.
Kostoja që thonë se u ka kërkuar KEDS-i për shtrirjen e rrjetit e vendosjen e trafos, për ta është e papërballueshme.
Edhe më të rëndë për ta e bën fakti se pjesa tjetër e fshatit ka rrymë.
“Diku 40 mijë euro. Kjo lagjja jonë, janë përmbi 32 vikendica, dhe një stallë na nuk kemi rrymë dhe nuk e di qysh munden me lanë që gjysma e fshatit me pas rrymë e gjysma jo”, thotë Hamdi Istrefi.
Për këtë çështje, televizioni ka dërguar pyetje edhe në KEDS, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.
Kronikë e realizuar nga gazetari, Driton Sadiku.



