Kuvendi i Kosovës ka mbështetur financiarisht ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos për disa ditë në sheshin e Prishtinës. Megjithatë, kjo ekspozitë ka nxitur reagime, veçanërisht nga LDK-ja, e cila e ka kritikuar për përmbajtje të pasakta.
Sipas LDK-së, në ekspozitë shumë nga civilët e vrarë nga forcat serbe janë paraqitur si persona të armatosur, gjë që, sipas tyre, përbën një shtrembërim serioz të së vërtetës historike dhe cenon dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. Partia e ka cilësuar përmbajtjen si të papranueshme dhe skandaloze.
Në reagimin e saj, LDK-ja thekson se lufta e Kosovës është një e vërtetë e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht, dhe nuk duhet të bëhet objekt interpretimesh që e deformojnë atë.
Sipas tyre, çdo përpjekje për ta relativizuar këtë histori dëmton kujtesën kolektive dhe themelet e shtetit.
Partia ka kritikuar edhe faktin që ekspozita është financuar nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë si një dështim serioz institucional.
Po ashtu, LDK-ja ka kërkuar hetim të plotë të rastit, përgjegjësi publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin dhe promovimin e ekspozitës, si dhe një kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve.
“Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën. Ajo është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës”, thuhet në reagim të LDK-së.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka qenë financues i kësaj ekspozite, e cila tashmë është larguar nga autoritetet komunale. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka deklaruar se mbështetja është dhënë me qëllim të mirë dhe se në momentin e miratimit nuk ka pasur indikacione për pasaktësi në përmbajtje.







