Rikthimi i punës së Kuvendit të Kosovës pas një pezullimi gati trejavor nga Gjykata Kushtetuese pritet të zhbllokojë një sërë çështjesh të rëndësishme legjislative dhe institucionale. Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të hënën e javës së ardhshme për të caktuar seancën plenare të radhës, ku në rend dite do të jenë, ndër të tjera, edhe disa marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 100 milionë euro.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i datës 25 mars, ka rikthyer funksionalitetin e legjislativit, duke i dhënë afat 34-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe duke shpallur të pavlefshëm dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas hulumtuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, para deputetëve ndodhet një agjendë e ngarkuar me mbi 170 projektligje që burojnë nga programi legjislativ i qeverisë.
Ai thekson për KosovaPress, se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë miratim urgjent, ndërsa komisionet parlamentare tashmë kanë nisur hartimin e planeve të punës me një ritëm më të shpejtë krahasuar me legjislaturat e kaluara.
Jakaj po ashtu nënvizon nevojën për vazhdimin e proceseve të rëndësishme institucionale, si përzgjedhja e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat mbeten të papërfunduara.
“Kuvendi i Kosovës fatmirësisht këtë vit ka punuar më mirë në kuptimin, ta them, komisionet parlamentare kanë nisur t’i draftojnë planet e punës me shpejtësi më të madhe sesa në legjislaturat e kaluara. Dhe tash, ato komisione mbesin me ato punë pa i nisur. Ne kemi edhe një program legjislativ të qeverisë që shkon përmbi 170 projektligje, të cilat do të duhej një pjesë e tyre të miratoheshin me shpejtësi… Janë një pjesë e projektligjeve që janë marrëveshje ndërkombëtare që presin miratim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, një e katërta e projektligjeve që janë në programin legjislativ janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nevojiten për miratim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Pra, duke mos i shmangur edhe proceset të cilat kanë nisur në fillim të legjislaturës, siç është emërimi, përzgjedhja e dy anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, tre anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, një anëtari joprokuror, një anëtari prokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thotë ai.
Në anën tjetër, profesori Mazllum Baraliu vlerëson se prioritet duhet t’u jepet marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, përfshirë ato me Bankën Botërore, që kapin vlera prej qindra milionë eurosh dhe kanë afate të kufizuara për miratim.
Baraliu thekson gjithashtu rëndësinë e kompletimit të bordeve në institucionet e pavarura, shumë prej të cilave aktualisht funksionojnë me ushtrues detyre. Sipas tij, kjo situatë kufizon efektivitetin e këtyre institucioneve dhe kërkon zgjidhje të shpejtë.
“Janë qindra miliona, sidomos 125 milionë të Bankës Botërore që janë shumë urgjente dhe me afat, por edhe të tjera marrëveshje ndërkombëtare. Pastaj, institucionet e pavarura që presin me çdo kusht që të emërohen njerëzit, anëtarët e bordeve, formimi i plotë i këtyre institucioneve dhe kompletimi me mandat dhe me anëtarë të rinj, për të pasur forum veprimi, sepse janë shumë prej tyre që janë me ushtrues detyre, edhe kështu me radhë. Pra, ka nevojë që të punohet me intensitet të shtuar dhe të zgjidhen disa probleme akute, por pse jo edhe ato kronike, të cilat thjesht një vit e gjysmë të një bllokade, të një paralize politike që pikërisht kjo klasë politike ia ka shkaktuar vendit, do të duhej që të ishin të vullnetit të mirë, që të mos nxjerrin pengesa njëri-tjetrit. Në këtë rast, qoftë qeverisë, qoftë parlamentit, qoftë pozita, qoftë opozita, por t’i votojnë këto, madje edhe kryetarin, gjegjësisht presidentin e vendit”, shton ai.
Si Jakaj po ashtu edhe Baraliu bien dakord se rikthimi i Kuvendit duhet të shfrytëzohet për të intensifikuar punën dhe për të tejkaluar bllokadën politike që ka karakterizuar periudhën e fundit. Ata bëjnë thirrje për bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, në mënyrë që të avancohen proceset kyçe dhe të shmangen pengesat politike që kanë ndikuar në funksionimin e institucioneve të vendit.




