Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin.
Ai ka theksuar se LDK e respekton plotësisht këtë vendim dhe e sheh atë si udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.
Sipas Abdixhikut, vendimi nuk krijon epërsi për askënd, por rikthen procesin në Kuvendin e Kosovës dhe u jep deputetëve afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.
“Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka shtuar se LDK beson se çështje të tilla zgjidhen përmes marrëveshjeve politike ndërmjet forcave përfaqësuese, jo me imponim.
“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës. Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, ka theksuar ai.
Në të njëjtën kohë, Abdixhiku ka vlerësuar se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shmangies së vakumit institucional në një situatë të paqartë juridike.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk konstaton shkelje kushtetuese dhe ofron interpretimin përfundimtar që duhet të respektohet nga të gjithë. Në rast të mungesës së marrëveshjes politike për 34 ditët e ardhshme, LDK do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin,” ka përfunduar Abdixhiku./teve1.info/







