Autor: Driton Sadiku
Dyert për mysafir u hapën qysh herët.
E më e hershmja në vizitë tek Bashkësia Islame e Kosovës, qe presidentja Vjosa Osmani, bashkë me stafin e saj.
Aty u pritën nga myftiu Naim Tërrnava dhe anëtarë të tjerë të BIK-ut.
Pas një bisede disa minutëshe, e para e shtetit, teksa largohej i uroi të gjithë qytetarët për këtë ditë feste.
“Zoti i madhërishëm t’i ketë pranuar lutjet dhe agjërimin e gjithsecilit dhe duke shpresuar që kjo ditë, si gjithnjë përgjatë historisë sonë, të na bëjë të gjithëve bashkë, t’i hapë zemrat, t’i hapë dyert e secilit, ta rrisë solidaritetin dhe t’i rrisë vlerat njerëzore të cilat gjithmonë na kanë bërë bashkë si popull”, tha Osmani.
S’shkoi shumë e erdhi edhe kryeministri Albin Kurti, me disa ministra të kabinetit qeveritar.
Këtu, Urimet e bajramit s’qenë temë e vetme e bisedës, meqë u fol edhe pak për politik, e situatën në rajon e botë.
Madje i pari i ekzekutivit, kujtoj edhe kohën kur u njohën me myftiun Tërrnava.
“Si çdo vjet edhe sivjet, si për çdo Bajram, vizitën e parë e bëjmë te Myftiu Naim Tërnava, për t’i falënderuar për angazhimin, punën, rolin, kontributin edhe aktual edhe historik. Sivjet janë bërë 30 vjet prej se unë njihem personalisht me Myftiun Naim Tërnava dhe unë asnjëherë nuk e harroj kontributin e tij si udhëheqës i Medresesë Alaudin, ku mbaheshin atëbotë aktivitete të shumta shoqërore dhe kombëtare në kuadër të rezistencës sonë”, u shpreh Kurti.
Fluksi i vizitave vazhdoi teksa radha ishte për kryetaren e kuvendit Albulena Haxhiun.
Ajo vuri theksin te roli i Bashkësisë Islame në shoqëri, sidomos në ruajtjen e paqes dhe bashkëjetesës.
“Vizita jonë sot këtu në Bashkësinë Islame të Kosovës është edhe si shenjë respekti për punën, për kontributin që Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, e sidomos në kultivimin e paqes, në bashkëjetesën ndërfetare, në mirëkuptim, që janë vlera shumë të rëndësishme për shoqërinë”, tha Haxhiu.
Në këtë festë të myslimanëve, për përhajër erdhi edhe ipeshkvi Dodë Gjergji.
Ky dha një mesazh se feja s’është problem për bashkimin kombëtar, si qëllim i përbashkët.
“Ne vërtet i festojmë Bajram e Pashkë secili sipas mënyrës së vet, por shqiptarinë e kemi bashkë dhe të ardhmen duhet ta ruajmë si të tillë”, tha ai.
Në këtë ditë feste, për urime erdhën edhe krerët e partive politike në vend.
Të gjithë, vlerësuan lartë kontributin e Bashkësisë Islame në punën, angazhimin por edhe ndihmën për qytetarët.
“Është muaj i solidaritetit, populli jonë gjithmonë ka qenë solidar, është dhe jam i bindur që ky solidaritet edhe mbas asaj që na tregon gjithmonë Myftiu duke u rritur, dhe është tepër mirë që njerëzit në nevojë përkrahen, ndihmohen”, tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Mbi të gjitha në këtë periudhë edhe përtej kësaj periudhe t’i ruajmë, t’i kultivojmë dhe t’i mbrojmë këto vlera që rëndom i gjejmë gjatë këtij muaji të shenjtë dhe gjatë festës së Bajramit, pra solidaritetin ndaj njëri-tjetrit, mbështetjen ndaj atyre që janë në nevojë, unitetin sa më të madh të njerëzve të Republikës së Kosovës”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
“Uroi që kjo festë të sjellë më shumë paqe, mirëkuptim dhe solidaritet mes qytetarëve”, u shpreh Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
I fundit për vizitë, erdhi i pari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Edhe ky si të tjerët, uruan bajramin duke theksuar ndihmën e komunës për këtë institucion fetar.







