Ditën e nisën në kryeqytet.
Zyrtarët e hetuesisë policore ndalesën e patën në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
Aty, filluan bastisjen për dy orë.
Nga aksioni, tri zyrtare të ARBK-së u shoqëruan për intervistim edhe në polici.
Në lidhje me këtë bastisje, kanë dhënë detaje Prokuroria Themelore.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J., F.L., dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, të njëjtat dyshohen për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ të cilat duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicalet I.B., të përfitoj dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme. Sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘N.K.W.P’ ‘Sh.P.K’ në vlerë mbi 50.000 (pesëmbëdhjetëmijë) euro”, u tha nga Prokuroria.
Me reagim për këtë bastisje kanë dalë edhe nga MINT-i.
Sipas ministrisë, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor që më pas sipas komunikatës është korrigjuar.
“Ju njoftojmë se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative. Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, ishte reagimi i ministrisë.
Pas intervistimit, nga Prokuroria nuk kanë treguar nëse ndonjëri prej zyrtarëve është dërguar në mbajtje.






