Ushtruesja e detyrës së kryeinspektores në Inspektoratin e Mbikëqyrjes së Tregut, Elma Krasniqi, ka deklaruar se çmimet e naftës në vend janë duke u monitoruar nga afër, pas rritjes së tyre si pasojë e zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për emisionin “Ditari” në Tëvë1, Krasniqi bëri të ditur se aktualisht janë duke u zhvilluar inspektime intensive ndaj operatorëve ekonomikë.
“Ajo që mund të konstatojmë në këtë moment është se ka mbikëqyrje intensive, aksione dhe inspektime të vazhdueshme. Aktualisht jemi në fazën e pritjes së raporteve pas këtyre inspektimeve. Deri më tani kemi rreth tetë raporte nga subjektet ekonomike”, ka thënë Krasniqi.
Sipas saj, në disa raste nuk është konstatuar tejkalim i marzhës së lejuar, ndërsa për rastet ku ka shkelje do të ndërmerren masa ligjore.
“Në dy raste nuk është konstatuar tejkalim i marzhës apo i vendimit në fuqi. Ndërsa në rastet tjera, bazuar në Ligjin për tregtinë me produktet e naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme, do të iniciohen procedura pranë gjykatave kompetente”, ka theksuar ajo.
E pyetur se kur mund të pritet ulje e çmimeve, Krasniqi tha se aktualisht nuk ka informacione konkrete.
“Sa i përket uljes së çmimeve, aktualisht nuk kemi informacione se kur mund të ndodhë një gjë e tillë”, është shprehur ajo.







