Mbi 36 kamera përcjellin çdo lëvizje të nxënësve të shkollës “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Ndonëse ky numër i kamerave është rritur së fundmi, siguria brenda këtij objekti çalon në disa aspekte.
Energjia elektrike në këtë shkollë nuk është e sigurt, kjo për shkak të vjetërsisë.
E të pasigurt e bëjnë edhe disa kushte infrastrukturore.
Gjithë kjo u bë e ditur në raportin që shkolla pranoi nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.
“Për shembull te rrjeti elektrik ne e kemi një rrjet elektrik të vjetruar dhe shkolla është në procedurë për t’u rinovuar dhe për t’u ndryshuar, është një pjesë e rëndësishme e sigurisë pastaj edhe një pjesë tek nyje sanitare të cilat kërkojnë intervenime por problemet tjera sa i përket sigurisë në përgjithësi ne qëndrojmë me mirë. Ne kemi sigurim privat të angazhuar përmes Këshillit të Prindërve të cilat kontribuojnë në sigurinë e nxënësve nga faktori i jashtëm”, thotë Betim Sylejmani drejtor i shkollës “Sami Frashëri”.
Për të gjeturat të cilat i pranoi, shkolla pret intervenime.
“Po presim intervenimet e mëdha, si ajo për rrymë, infrastrukturë normalisht nevojiten edhe shkallë të tjera emergjente në një pjesë i kemi por në një pjesë tjetër nevojiten por shpresojmë që këtë vit shkolla do të hyjë në renovim dhe këto çështje të evitohen përmes financimit nga Komuna e Prishtinës”, thotë drejtori i shkollës.
E raporti i njëjtë i është dorëzuar edhe 62 shkollave të tjera në kryeqytet.
Siç bëhet e ditur në të, mbi 50% e shkollave në Prishtinë janë të pasigurta.
“Mbi 50% e shkollave ashtu siç e kemi bërë publike në postimit tona, mbi 50% e shkollave kanë rrezik të theksuar sa i përket sigurisë se përgjithshme. Këto të gjeturat kryesore kemi të bëjmë me aspektet e sigurisë infrastrukturore, aspektet e sigurisë fizike dhe aspektet e sigurisë nga zjarret. Këto janë tri komponentë kryesore. Ky nuk është një alarm për të bërë panik, por alarm për përgjegjësi që ne si institucione të kryeqytetit kemi filluar të ndërmarrim”, shprehet Lulzim Fushtica – drejtor për Siguri dhe Emergjenca.
Nga komuna kanë thënë se intervenimet do t’i bëjnë në disa faza.
“Duhet të ndryshohet rrjeti elektrik, hyrje daljet, kamerat, siguria e brendshme dhe e jashtme, rrethojat. Kemi një numër të shkollave që kanë qasje direkt në rrugë. Faza e dytë, tre deri në 12 muaj, janë investime që duhet të bëhen në infrastrukturë, objekte sanitare, përmirësimi i ndriçimit të jashtëm dhe të brendshëm, dhe ajo që është një deri në 3 vjet që kërkon investime më të mëdha riparimi i shkollave që kanë nevojë, kemi shkolla që janë ndërtuar në vitin 1980 para dhe pas kësaj kohe”, thotë Fushtica.
Shqetësuese këto statistika po i sheh edhe drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.
“Meqenëse raporti thotë që 50% e shkollave kanë problem me sigurinë, për mu është shqetësuese, e dyta përmendet aty që ka hyrje dalje të personave të paautorizuar dhe nuk vërehen fare. Kjo është edhe me shqetësuese sepse puna me fëmijë është ndjeshme”, thotë Duraku.
Raporti për sigurinë në shkolla është krijuar vitin që lamë pas për shtatë muaj radhazi, nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, Policia e Kryeqytetit, dhe Brigada profesionale e Zjarrfikësve.






