Serbi i liruar për krime lufte nga Themelorja s’paraqitet në seancën e Apelit
Për gati dy vite u gjykua për krime lufte.
Ish gardiani i burgut të Dubravës, Gavrilo Milosavleviq, akuzohej për vrasje e torturë të të burgosurve.
Por, në qershorin e vitit të kaluar ai u lirua nga akuzat nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me arsyetimin se nuk ishte provuar fajësia e tij.
Po të njëjtën ditë, Milosavleviqit iu ndërpre edhe masa e paraburgimit.
Mirëpo, beteja për drejtësi nuk ka përfunduar akoma.
Të hënën u mbajtë seanca dëgjimore në Gjykatën e Apelit, por aty nuk u paraqit i akuzuari.
“I akuzuari Gavrilo Miloslavleviq, i njëjti ka qenë i ftuar përmes adresës së tij në komunën e Istogut. Rezulton nga fletëkthesa që nuk ka arrit me iu dorëzu, për shkak se ka ndërru adresë, gjegjësit është shpërngulë nga adresa”, njoftoi Avni Mehmeti- kryetar i Kolegjit të gjyqtarëve.
Por në gjykatore, nuk munguan ata që pësuan nga paraburgimi në Dubravë.
Prej tyre pati ankesa se gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallën e parë, nuk ishin ftuar fare për të dëshmuar.
“Unë si i dëmtuar nuk jam thirrë asnjëherë për të dëshmuar në séance”, tha Visar Ballovcim ish- i burgosur politik
Para kolegjit të gjyqtarëve, u shpreh keqardhje për vendimin lirues që shkalla e parë mori ndaj Milosavleviqit.
“Na vjen keq dhe ndjejmë keqardhje për trupin gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për lirimin e Gavrilos. Për mua është e papranueshme. Ai ka qenë në mesin e 187 gardianëve në burgun e Dubravës, ku janë vra 118 të burgosur, mbi 400 janë plagosë dhe torturat që janë bë nëpër burgje ndaj të burgosurve, ku në pjesën kryesore kanë qenë me maska dhe ne nuk i kemi njoftë krejt me maska. Kështu që, secili prej atyre që ka qenë aty për mu është vrasës, kriminel, tortures, dhunues dhe kërkoj denim”, u shpreh Nait Hasani ish- i burgosur politik.
Në seancë nuk prezantuan as nga Prokuroria Speciale.
Ankesën e saj e elaboroi gjyqtarja raportuese.
“Sipas ankesës apo prokurorit të çështjes të Prokurorisë Speciale, Gjykata Themelore me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq, ka bërë disa shkelje në procedurë dhe disa mangësi në mënyrë të padrejtë sipas prokurorisë, e ka nxjerrë aktgjykimin lirues”, tha Albina Shabani Rama-gjyqtare raportuese
Rrjedhimisht, prokuroria kërkoi dënim apo rigjykim të ish gardianit serb.
“I pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit nga Gjykata e Apelit apo të anulohet aktgjykimi me numër 3623 12.08.25 dhe lënda të kthehet në rishqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje”, tha Rama.
E si kundërpërgjigje ndaj ankesës dhe propozimit të prokurorisë, mbrojtja e Milosavleviq kërkoi aprovim të aktgjykimit të shkallës së parë, që të akuzuarin e lë të lirë dhe refuzim të ankesës së prokurorisë.



