Ka katër ditë që është përmbyllur procesi gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së.
Pikërisht këto katër ditë, janë ditët e para të rrjedhjes së afatit për trupin gjykues që ta marrin vendimin e tyre në lidhje me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
E muaji i parë i verës, llogaritet të jetë koha kur do ta kemi këtë vendim të Speciales për gjyqin e madh.
“Ky afat i rregullt është 90 ditë, me mundësi zgjatje që në rrethana përjashtuese sipas vendimit të arsyetuar, të mund të zgjatet edhe për 60 ditë të tjera, kur çështja është voluminoze. Prandaj, sipas këtyre parametrave besoj se kah qershori eventualisht korriku i këtij viti, duhet më pas verdikitin trupi gjykues në raport me këtë çështje”, vlerëson avokati Ardian Bajraktari.
Përpara vetes, trupi gjykues përpos dëshmive e provave të shumta, do ta ketë edhe kërkesën e prokurorisë që katërshja të dënohet me nga 45 vite secili.
Kjo kërkesë, vlerësohet se nuk është e bazuar as në ligjet e Kosovës e as në ligjet e ish Jugosllavisë.
“Në radhë të parë, nuk parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dënimi prej 45 vitesh. Kemi tri forma të dënimit, dënimi me burg të përjetshëm, dënimi me burg dhe dënimi me gjobë. Te dënimi me burgim dënimet maksimale që mund të shqiptohen janë me 25 vite, pastaj deri në 35 vite. Dënimi mbi 35 vite është dënim i përjetshëm, dhe mes dënimit 35 vite dhe burgimit të përjetshëm nuk ka tjetër dënim të ndërmjetëm. Gjithashtu, kjo prokurori ka treguar se nuk e njeh edhe zbatimin e ligjit në kohë”, shprehet avokati Skender Musa.
Nga Specialja thonë se data e shpalljes do të bëhet publike, atëherë kur të jetë marrë vendimi.



