Republika e Lituanisë ka hapur zyrtarisht Konsullatën e Nderit në Republikën e Kosovës.
Në ceremoninë e organizuar për këtë rast mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Gjatë fjalimit të tij, Sveçla ka theksuar rëndësinë e këtij hapjeje për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.
“Është kënaqësi e veçantë për mua që sot të jem këtu me ju, për të shënuar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe, hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Lituanisë në Republikën e Kosovës. Ky hap përfaqëson jo vetëm një prani institucionale, por edhe një dëshmi konkrete të miqësisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka rikujtuar se Lituania ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm pak javë pas shpalljes së saj 18 vite më parë, duke nënvizuar rolin e Lituanisë si aleate e përkushtuar në proceset e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Kontributi i qytetarëve lituanezë në KFOR u përmend gjithashtu si një dëshmi e angazhimit të Lituanisë për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Lituanisë kanë qenë që nga fillimi të shkëlqyera dhe të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se Lituania ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm pak javë pas shpalljes së saj 18 vite më parë. Ky akt i rëndësishëm përbën themelin e raporteve tona të shëndosha dhe shprehje të qartë të përkrahjes për të drejtën e popullit tonë për liri dhe shtetësi. Që nga ajo kohë, Lituania ka qenë një aleate e vazhdueshme e Kosovës në proceset e shtetndërtimit, konsolidimit institucional dhe integrimit euroatlantik. Kontributi i qytetarëve lituanezë në kuadër të KFOR është edhe një dëshmi konkrete e përkushtimit të këtij shteti ndaj paqes, rendit dhe stabilitetit në vendin tonë dhe në rajon”, ka theksuar ai.
Hapja e Konsullatës së Nderit u konsiderua si një hap i ri për forcimin e lidhjeve politike, ekonomike, kulturore dhe ndërnjerëzore ndërmjet dy popujve.
Ceremonia u përkthye edhe si një shans për të thelluar bashkëpunimin institucional dhe qytetar.
“Hapja e sotme e Konsullatës së Nderit të Lituanisë në Kosovë përbën një hap të ri dhe të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit tonë, duke krijuar mundësi shtesë për forcimin e lidhjeve politike, ekonomike, kulturore dhe ndër njerëzore ndërmjet dy popujve tanë”, ka deklaruar Sveçla.
Po ashtu, në këtë ditë u shënua 108-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Lituanisë, një moment historik që sipas Sveçlës përfaqëson gurthemelin e afirmimit shtetëror dhe frymëzim për të gjithë popujt që kanë kaluar rrugën e lirisë.
“Me këtë rast, më lejoni që, në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, të ju uroj përzemërsisht këtë ditë të shënuar juve që jeni të pranishëm këtu dhe mbarë popullit lituanez. Duke ju falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme, jam i bindur se miqësia ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Lituanisë do të vazhdojë të forcohet edhe mëtej, e udhëhequr nga respekti i ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe vizioni ynë i përbashkët. Le të shërbejë hapja e kësaj Konsullate si një kapitull i ri”, ka përfunduar ai./teve1.info/




