Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, e ka cilësuar si politik procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Sopi ka thënë se interesi i tyre për këtë çështje është i madh, pasi sipas tij nuk bëhet fjalë vetëm për një proces të bazuar në administrimin e provave.
“Interesimi ynë është i madh për këtë çështje duke marrë parasysh se atje nuk kemi të bëjmë thjesht me një gjykim që ka për bazë administrimin e provave, por më tepër konsiderojmë që është një gjykim politik”, ka deklaruar ai.
Duke folur për një rezolutë të Parlamentit të Zvicrës, të nënshkruar nga 30 deputetë dhe të dorëzuar këtë të hënë në Gjykatën Speciale, Sopi e ka vlerësuar atë si të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Deputetët zviceranë, sipas tij, kërkojnë drejtësi dhe një gjykim të paanshëm për ish-krerët e UÇK-së.
“Kjo rezolutë për ne ka një domethënie të jashtëzakonshme për arsye se vjen nga një shtet neutral dhe nga një shtet ku deputeti i tij, siç ishte Dick Marty, ishte ai që e filloi gjithë këtë maskaradë në bashkëpunim me qarqe të caktuara ruso-serbe”, është shprehur Sopi.
Sa i përket marshit të organizuar nga platforma “Liria ka Emër” me moton “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt nga ora 14:00 për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Sopi ka thënë se presin mbështetje edhe më të madhe se herëve të kaluara.
Ai ka theksuar se protestat e organizuara më herët në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Strasburg dhe Hagë kanë pasur përkrahje të gjerë qytetare, pa dallim moshe, gjinie apo bindjeje politike.
“Të gjitha protestat e organizuara në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Strasburg dhe në Hagë kanë pasur një përkrahje të gjerë popullore pa marrë parasysh moshën, gjininë apo bindjet politike dhe prandaj një gjë të tillë e presim edhe nesër. Madje ka interesim edhe më të madh, sepse nesër edhe festojmë edhe protestojmë. Festojmë në një gjendje jo të mirë emocionale, pasi që prej pesë vitesh Kosovës i mungojnë akterët kryesorë, që janë më meritorët për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Festat janë shumë të zbehta pa prezencën e tyre”, ka thënë Sopi.







