Anëtarja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka shprehur kënaqësinë e saj për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm për shtetin.
Në një intervistë për emisionin “Ditari” në Tevë1, Gaxherri ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë diskutim të hapur mes LDK-së dhe VV-së për këtë çështje.
Ajo ka theksuar se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat për president pa arritur një marrëveshje politike paraprake, duke shtuar se Kurti duhet të mësohet të bëjë marrëveshje me opozitën për të respektuar institucionet e vendit.
“Na vjen mirë tani kemi një kuvend dhe kemi një qeveri, për çështjen e presidentit deri më tani unë si anëtare e kryesisë e LDK-së nuk e kam asnjë informacion që është takuar dikush për qështje të tilla, ne kemi një deklaratë pubblike të cilët themi se nuk ka asnjë votë nga LDK pa marrëveshje politike për presidentin, po pretendojmë që duhet që ky subjekt politik dhe ky lider Kurti të mësohet që të bëjë marrëveshje politike që vërtetë të respekton opozitën dhe institucionet e vendit, ky do jetë vendimi ynë, mund të ndryshojnë gjërat por mund ta deklaroj sot mendimin tim”, ka deklaruar Gaxherri.
Gaxherri gjithashtu ka komentuar mundësinë e Ramush Haradinaj si president të Kosovës, duke thënë se ai është një personalitet i cili përmbush kriteret dhe nevojat e vendit, por ka theksuar se ky është një vendim që duhet të merret nga partitë politike, veçanërisht nga VV-ja.
“Haradinaj është një personalitet i cili vërtet mund t’i përmbush kriteret dhe nevojat e Kosovës momentalisht për president, megjithatë nuk mund të spekuloj askush, as vet Haradinaj sepse aty duhet të pajtohen partitë politike e në mënyrë të veçanta VV-ja, por siç është personaliteti, kontributi, provoja e Haradinaj nuk do ishte keq”, përfundoi ajo./teve1.info/







