Një nga pretendentët për medalje në skeleton në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ukrainasi Vladyslav Heraskevych, nuk u lejua të garojë të enjten pasi refuzoi kërkesën e fundit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të mos përdorur helmetën e tij simbolike — një helmetë që mban imazhet e më shumë se 20 sportistëve dhe trajnerëve ukrainas të vrarë në luftën me Rusinë.
Vendimi erdhi rreth 45 minuta para nisjes së garës, duke i dhënë fund një sage tre-ditore ku Heraskevych ishte i vetëdijshëm se rrezikonte përjashtimin duke zbritur në pistë me helmetën në fjalë. IOC argumentoi se rregullat ndalojnë deklaratat apo shprehjet në fushën e lojës.
Federata Ndërkombëtare e Bobsleit dhe Skeletonit (IBSF) i dërgoi atij njoftim me shkrim, duke theksuar se vendimi për të mbajtur helmetën ishte “në kundërshtim me Kartën Olimpike dhe udhëzimet për shprehjen e sportistëve”.
IOC kishte lejuar përdorimin e helmetës gjatë stërvitjes, por i kërkoi — madje iu lut — që në garë të përdorte një tjetër helmetë. Si kompromis, iu ofrua mundësia të mbante një shirit të zi në krah ose ta ekspozonte helmetën pasi të dilte nga pista.
“Duket si diskriminim”
“Besoj thellë se IBSF dhe IOC e kuptojnë që nuk po shkel asnjë rregull,” deklaroi Heraskevych. “Është e dhimbshme sepse duket si diskriminim. Shumë sportistë janë shprehur dhe nuk u përballën me të njëjtin trajtim. Papritur, vetëm sportisti ukrainas në këto Lojëra do të skualifikohet për një helmetë.”
Presidentja e IOC, Kirsty Coventry, ndryshoi axhendën e saj të enjten për të udhëtuar drejt qendrës së “sliding” në Cortina d’Ampezzo dhe për t’u takuar personalisht me Heraskevych. Ajo e priti në majë të pistës rreth orës 08:15 dhe zhvilloi një takim privat rreth 10 minuta, por nuk arriti ta bindte të ndryshonte qëndrim.
“Nuk gjetëm gjuhë të përbashkët,” tha sportisti ukrainas.
Coventry foli më pas para gazetarëve, shpeshherë me lot në sy, duke theksuar se IOC e mori vendimin “me keqardhje”.
“Mesazhi është i fuqishëm. Është një mesazh kujtese dhe askush nuk është kundër kësaj,” tha ajo. “Sfida ishte vetëm për fushën e lojës.”
IOC shpresonte për kompromis edhe për një arsye praktike: fytyrat në helmetë nuk janë lehtësisht të dallueshme kur sportistët zbresin me shpejtësi mbi 120 km/h në pistën e akullt. Por Heraskevych nuk pranoi të hiqte dorë nga simbolika gjatë garës.
Apel i vonuar, gara vazhdon
Heraskevych deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), por gara tashmë ka nisur dhe medaljet do të ndahen të premten. Edhe nëse CAS do të vendosë ndryshe, shansi i tij për të garuar në këto Lojëra ka përfunduar.
“Në Ukrainë tani kemi shumë lot,” tha ai, duke shtuar se vendimi “i shërben propagandës ruse”.
Reagime të forta erdhën edhe nga sportistë të tjerë ukrainas. Skiatorja Kateryna Kotsar shkroi në Instagram:
“Skualifikuar. Kjo mjafton për të kuptuar çfarë është IOC moderne dhe si e turpëron idenë e lëvizjes olimpike. Vladyslav, për ne dhe për botën, je kampion. Edhe pa startuar.”
Akuza për standarde të dyfishta
IOC kishte mbështetur Heraskevych në të kaluarën. Në Pekin 2022, ai shfaqi një pankartë “No war in Ukraine” pas zbritjes së tij finale, dhe IOC e konsideroi si thirrje për paqe, jo si shkelje.
Këtë herë, sportisti beson se ka paqëndrueshmëri në mënyrën si trajtohen rastet e ndryshme. Ai përmendi patinatorin amerikan Maxim Naumov, i cili mbajti një foto të prindërve të tij të ndjerë — viktima të një aksidenti ajror në janar 2025 — si dhe sportistin izraelit të skeletonit Jared Firestone, që u shfaq në ceremoninë hapëse me një kipa ku ishin shkruar emrat e 11 izraelitëve të vrarë në sulmin e Mynihut 1972.
Ndërsa debati për kufirin mes neutralitetit olimpik dhe lirisë së shprehjes vazhdon, një gjë është e qartë: një nga favoritët për medalje në skeleton nuk do të ketë mundësinë të zbresë në pistën olimpike në Cortina — jo për shkak të kohës apo performancës, por për shkak të një mesazhi në helmetë.







