Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nexhat Llumnica, ka bërë të ditur se sindikata që ai drejton do ta mbështesë protestën që pritet të mbahet të premten kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Llumnica ka deklaruar se KEK-u e shet energjinë elektrike me një nga çmimet më të lira në Evropë, ndërsa rritja e çmimit për qytetarët, sipas tij, po vjen nga KEDS dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Ai ka theksuar se Sindikata kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke argumentuar se distribucioni i energjisë duhet të jetë pjesë e KEK-ut, gjë që sipas tij do t’i mundësonte qytetarëve çmime më të favorshme, korporatës më shumë fuqi financiare dhe punëtorëve dinjitet më të madh në punë.
“Ne e mbështesim protestën, sepse mendojmë se distribucioni i ElektroKosovës duhet të jetë pjesë e Korporatës Energjetike të Kosovës, aty ku qytetari ka mundësi të përfitojë një çmim të favorshëm të energjisë elektrike, aty ku korporata mund të jetë më e fuqishme dhe punëtori më i dinjitetshëm. Për këtë arsye, ne kundërshtojmë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi Korporata Energjetike e Kosovës e shet energjinë me një nga çmimet më të ulëta në Evropë, ndërsa KEDS dhe ZRRE po tentojnë ta rrisin atë,” ka thënë ai.
Llumnica ka shtuar se KEDS-i, sipas tij, ka rreth 21 milionë euro fonde vjetore për investime, të cilat nuk shpenzohen asnjëherë.
Ai ka përmendur gjithashtu se kostoja e transportit të energjisë elektrike arrin në rreth 35 euro për megavat, ndërkohë që KEK-u energjinë ia shet KEDS-it me rreth 29.5 euro për megavat.
Sipas tij, një pjesë e bizneseve detyrohen të ndërtojnë vetë trafostacione dhe më pas t’ia dorëzojnë ato KEDS-it si pasuri, me qëllim të mirëmbajtjes.
Llumnica ka vlerësuar se kërkesa e KEDS-it për rritje të çmimit pranë ZRRE-së është e paarsyeshme, duke marrë parasysh çmimin e ulët me të cilin energjia blihet nga KEK-u.
Ai ka paralajmëruar se në rastet kur KEK-u nuk arrin të prodhojë energji të mjaftueshme, KEDS-i heziton të importojë energji për shkak të çmimeve jo të favorshme, duke bërë që Kosova të mbetet pa energji elektrike.
“Ne mendojmë se vetëm për transportin e energjisë elektrike kostoja arrin rreth 35 euro për megavat, ndërsa KEK-u e shet energjinë te KEDS-i për 29.5 euro për megavat. Përveç kësaj, kemi konstatuar se KEDS-i ka rreth 21 milionë euro investime vjetore, të cilat nuk i shpenzon asnjëherë. Nga ana tjetër, shumë afaristë ndërtojnë trafostacione të veta dhe detyrohen t’ia dorëzojnë ato KEDS-it për mirëmbajtje. Për këtë arsye, KEDS-i po bën një lloj aktgjykimi të paarsyeshëm pranë ZRRE-së për të ngritur çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që KEK-u e shet energjinë me një çmim jashtëzakonisht të lirë. Pra, sa herë që KEK-u nuk prodhon mjaftueshëm energji, KEDS-i heziton të importojë për shkak të çmimeve jo të favorshme, dhe Kosova mbetet pa energji,” është shprehur ai.
Ndryshe, për të premten është thirrur një protestë kundër paralajmërimit për rritjen prej rreth 21 për qind të tarifave të rrymës.
Protesta është paralajmëruar të nisë nga ora 13:00 para objektit të KEDS-it dhe të vazhdojë më pas drejt asaj të Qeverisë.







