Mehmet Bogujevci, ish-boksier dhe kampion i Lojërave Mesdhetare, vlerëson se Kosova ka potencialin dhe kapacitetet njerëzore për të organizuar me sukses Lojërat Mesdhetare.
Bogujevci, i cili në vitin 1979 fitoi medaljen e artë në kategorinë welterweight (deri në 67 kilogramë) për përfaqësuesen e Jugosllavisë në Lojërat Mesdhetare të mbajtura në Split, ka ndarë vlerësimet e tij për sfidat organizative dhe pritshmëritë nga sportistët kosovarë.
Sipas Bogujevcit, organizimi i Lojërave Mesdhetare përbën një obligim të madh për çdo shtet pritës, pasi kërkon kushte të shumta infrastrukturore dhe logjistike. Ai ka theksuar se rritja e numrit të shteteve pjesëmarrëse e shton edhe më shumë kompleksitetin e organizimit, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e fshatit olimpik, sigurimin e akomodimit dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për pritje dhe shoqërim të delegacioneve.
Bogujevci ka shprehur bindjen se KOK-u posedon ekipin e duhur profesional për të përballuar një ngjarje të përmasave të Lojërave Mesdhetare, ndërsa ka theksuar se mbështetja institucionale e shtetit do të jetë vendimtare për suksesin e këtij organizimi.
“Është shumë obligim i madh. Kërkohen shumë kushte sepse këtu janë 25 a 26 shtete, sepse 24 kanë qenë atëherë kur kam luajtur. Tash 26 shtete, rritet numri i pjesëmarrësve. Është shumë problem, kushtet, fshati olimpik duhet, vendosja. Tani pritja, shoqërimi, duhet pasur njerëz që dinë me fol edhe gjuhën e tyre. Ka obligime, probleme të mëdha, por shpresoj që me ndihmën e shtetit mund t’i organizojmë. Komiteti Olimpik i Kosovës është një organizatë jashtëzakonisht mirë e organizuar…edhe shpresoj dhe jo vetëm që shpresoj por jam i bindur se do t’i organizojmë mirë se ka ekipin e njerëzve Komiteti Olimpik, të cilët janë të aftë për t’i organizuar”, thotë Bogujevci për KP.
Duke folur për aspektin sportiv, Bogujevci ka deklaruar se Kosova nuk do të mbetet pa medalje në Lojërat Mesdhetare. Ai ka veçuar xhudon si disiplinë me nivel të lartë botëror, falë rezultateve të vazhdueshme ndërkombëtare, veçanërisht në konkurrencën e femrave. Po ashtu, ai ka përmendur edhe sporte të tjera individuale si boksi, mundja, atletika dhe noti, duke theksuar se përgatitjet për sportistët potencialë duhet të nisin menjëherë.
“Ne e kemi xhudon pa problem, e kemi Driton Kuka, nuk kemi problem, pa medalje nuk mbetemi sepse kemi nivel botëror, vajzat tona janë, xhudistet, është në kulmin e sportit botëror, kështu që, por kemi edhe të tjera sporte, boksi e, sporte të tjera, mundja, sportet individuale, atletike, noti, kemi kandidatë të cilët duhet të përgatiten. Koha është të fillohet me përgatitje që kandidatët potencial, ata që premtojnë, duhet të fillojnë tani. Sot, nesër është vonë. Sot duhet të fillojnë”, deklaron Bogujevci.
Duke folur për KosovaPress, Bogujevci ka ndarë përvojën e tij personale nga Lojërat Mesdhetare në Split, ku garoi në rrethana të veçanta, pasi në atë kohë ishte ushtar. Ai ka kujtuar se, pavarësisht angazhimeve ushtarake, arriti të stërvitej dhe të paraqitej në garë, ku suksesi i tij i siguroi medaljen dhe kualifikimin për Lojërat Olimpike.
“Lojëra Mesdhetare në Split, unë isha ushtar. Edhe nga ushtria stërvitesha por nuk kam qenë ku e di se çka, por në Lojëra Mesdhetare në Split, 24 shtete kanë qenë, nuk ka qenë shumë konkurrencë. Më thanë ‘do të boksosh në këtë kategori. Edhe mbasi fitova medaljen edhe e fitova të drejtën për të marrë pjesë në Lojëra Olimpike. Pastaj në 67 kilogramë e fitova vizën për Lojëra Olimpike, dhe u desh të boksoja në 67-kg edhe atje. Faktikisht kategoria ime ka qenë 63 kg e gjysmë”, zbulon Bogujevci.
Bogujevci ka theksuar se përgatitja e tij ishte kyçe për suksesin, duke përmendur një periudhë tre mujore përgatitjeje intensive në një qendër sportive në Beograd.
Ai ka rikujtuar edhe përballjet e forta në ring, përfshirë një gjysmëfinale problematike, e cila u mbyll me diskualifikimin e kundërshtarit, duke e çuar atë drejt medaljes.
“Kundërshtarët i kam pasur të mirë, por unë kam qenë i përgatitur mirë se tre muaj kam qëndruar vetëm në përgatitje. Plus që kam ushtruar çdo ditë, por tre muaj kam qëndruar aty në qendër sportive në Beograd. Edhe jam përgatitur mirë, kam qenë i përgatitur, nuk kam pas ndonjë problem të madh. Në gjysmëfinale boksova me një italian, pata problem, dy herë më kafshoi. Edhe kur e pa referi e diskualifikuan. Edhe tani, kur, ai e fitoi medaljen e bronztë, edhe në sallën sportive, pas finales, kur u shpallëm, kur ja përmendën emrin, ja nisën publiku me ta fishkëllejnë”, theksoi tutje Bogujevci.
Lojërat Mesdhetare janë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive shumëdisiplinore në rajon, që përtej garës sportive bartin mesazhe bashkëpunimi, zhvillimi dhe diplomacie sportive. Organizimi i tyre në Kosovë në vitin 2030 paraqet një moment historik për sportin dhe shtetin, duke e vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe duke hapur rrugë për investime afatgjata në infrastrukturë, përvojë organizative dhe promovim të imazhit të Kosovës përmes sportit.




