Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me çrregullimet në lëvizjen e mallrave ndërmjet Bashkimit Evropian, korridoreve rajonale të transitit dhe Republikës së Kosovës.
Oda Amerikane i bënë thirrje Komisionit Evropian që të angazhohet urgjentisht në gjetjen e një zgjidhjeje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat aktuale që po ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit.
“Zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadat e vendalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa shtete të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe sistemit EES po pengojnë ndjeshëm lëvizjen e mallrave. Lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor të mallrave janë thelbësore për garantimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të BE-së. Ndërprerjet tashmë po ndikojnë tek bizneset përmes vonesave në dërgesa, rrezikut të mospërmbushjes së kontratave, humbjeve financiare dhe mundësisë së humbjes së klientëve ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e OEAK.
Tutje thuhet se “Duke pasur parasysh varësinë e lartë të Kosovës nga importi dhe transitimi përmes korridoreve rajonale, ndërprerjet e zgjatura cenojnë qëndrueshmërinë në furnizim, si dhe rrezikojnë rritjen e shpenzimeve operative për bizneset, e rrjedhimisht të kontribuojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht edhe në planifikimin e investimeve dhe në detyrimet financiare të lidhura me ciklet e prodhimit dhe afatet e dorëzimit. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë inkurajon të gjitha palët relevante që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë drejt zgjidhjeve praktike, të parashikueshme dhe afatgjata që sigurojnë lëvizjen e pandërprerë të mallrave në zinxhirët evropianë dhe rajonalë të furnizimit, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e sistemeve të menaxhimit kufitar të BE-së”.








