Për kthim nga shkolla në shtëpi zgjodhi të ecë buzë lumit.
Por kjo, doli të jetë fatale për një 9 vjeçar në fshatin Gadime të Lipjanit.
Në këtë vend, Zejn Zejnullahu, dyshohet që ra në lum pasditen e së martës.
Moskthimi me kohë në shtëpi, alarmoi familjarët.
Këta të fundit me banorët e tjerë të fshatit, u vunë në kërkim të 9 vjeçarit.
E larg nga vendi ky dyshohet se ra Zejni, trupin e tij e hetoi, Petrit Danqi.
Ky i fundit rrëfen se në momentin kur e gjetën nxënësin, kishte akoma shenja jete.
“E kam parë duke e çuar vala… kam bërtitur sa kam mundur. Kur e kemi shtrirë djalin, kaluesit kanë dhënë ndihmë. Mu ka dhimt si evlad i jemi”, thotë ai.
Sipas tij, rrjedha e ujit ishte më e madhe të martën.
“Kur e kalova rrugën, nën ndriçimin e dritave e pashë një trup me maicë të bardhë dhe trenerka, duke u bartur nga vala e ujit. Kam bërtitur sa kam pasë zë. Kanë dalë fqinjët, rreth 10 veta, dhe më kanë ndihmuar për ta nxjerrë”, shprehet Danqi.
Pas kësaj, Zejni u transportua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ku edhe ndërroi jetë.
Në shtëpinë e Zejnit në Gadime të Lipjanit, familjarët të mërkurën hapën të pamet.
Nga dhimbja e humbjes së më të dashurit, nuk patën forcë të flasin para kamerës.
E gjithë ngjarja që tronditi vendin, ndodhi pasi Zejni përfundoi mësimin në shkollën fillore “Zenel Hajdini”
Drejtori i shkollës, Skënder Ademi, thotë se për këtë rast u shikuan edhe kamerat e sigurisë.
“Në kamera shihet se ai del nga shkolla me shokët. Afër shkollës, një prind i një nxënëseje i ka ofruar që të hipte në vetur bashkë me ta, por ai ka këmbëngulur të vazhdojë rrugën në këmbë, duke thënë se do të shkojë të blejë një kifle”, shprehet ai.
Ademi thotë se i mituri zgjodhi një rrugë jo shumë të frekuentuar për kalim.
“Nuk ka shkuar në rrugën që zakonisht e ndjekte, por ka zgjedhur një rrugë tjetër më të shkurtër, ku fatkeqësisht ka rënë në lumë”, thotë drejtori i shkollës.
Ndryshe, televizioni merr vesh minibusi që bartë nxënësit aktualisht ka një defekt.
Për këtë, nxënësit ka dy javë që duhet të gjenin një zgjidhje tjetër për kthim në shtëpi.
9 vjecari, Zejn Zejnullahu, do të varroset të enjten në Gadime të Lipjanit.






