Autori: Adea Mustafaj
Rruga deri tek paneli elektrik i shtëpisë i është bërë e përditshme.
Krejt kjo, për ta kontrolluar tensionin e energjisë elektrike.
Por, sasia e rrymës që vije tek shtëpia e Ramiz Bytyqit në “Akllapi” të Lipjanit, nuk është e mjaftueshme,
“Na kem problem me rrym. Prej 2015 që kemi ardh na këtu prolemi u kon thuajse i njejt, por sivjet hala ma i dobët. Qe te faza nuk janë, vetëm dy faza edhe ato dy faza janë shumë të dobëta. As nxemje, as drita të forta, as kurgjo hiq”, ka thënë Bytyqi.
Kalimi i dimrave në këtë gjendje, sipas Bytyqit, është bërë i vështirë.
“Ma së shumti po na dëmton edhe në shëndet, edhe në paisje edhe në krejt. Llogarite ti as nxemjen nuk po mundem me lshu… Shoqja jem është e sëmurë ajo me bo një ftofje të vogël menjëherë duhet me qu te specialist”, u shpreh tutje Bytyqi.
Një tjetër banor thotë se rryma po iu vjen e ulët, por faturat e larta.
“Kqyri fakturat se unë nuk të rrej. Një krah faktura tash e pagujta. Pasha rizen e Zotit edhe badijava rrym nuk ka. Rryma e ligt, pagesa e nalt”, ka thënë Krasniqi.
Tensioni i ulët në këtë lagje, banorëve thonë se po u shkakton edhe dëmë.
“Dëme do me thënë komplet çka kemë teknik të bardh e kom të djegun. Jo veç mu, po krejt. Jemi detyru ka 200-300 euro me ble stabilizator të mëdhejnë hajt kishe me i rujt senet, po jo nuk funksionon.” , u shpresh banori Gashi.
“Është teper e dobët, as paisjet nuk funksionojnë, as kurgjo. Do me thënë është teper e dobët qeto drita edhe këto kaniherë spo bojnë. Paisjet janë dy-tri që jonë djeg shkaku i rrymës.”, ka thënë një banor tjetër
Banorët e kësaj lagje, kanë një kërkesë për KEDS.
“Na po kërkojm ose këta të rrymes ose kush e ka për detyrë një traf me na e vendos edhe me na rregullu rrymen. Na mbarum” , ka përfunduar Bytyqi
“Na prej KEDS kërkojm me pru trafon e re. Pa e pru trafon qetu nuk ka zgjidhje”, ka thënë tutje Gashi.
Pavarësisht ankesave, nga KEDS nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë nëse banorëve të “Akllapisë” do t’u bëhet një zgjidhje këtë dimër.
Por për Tëvë1, thonë se ankesat e tyre do të analizohen.
“KEDS në mënyrë të vazhdueshme pranon dhe evidenton ankesat e konsumatorëve lidhur me rënien e tensionit. Të gjitha këto ankesa analizohen në detaje dhe trajtohen në kuadër të planit zhvillimor investiv, i cili hartohet nga KEDS dhe dorëzohet për aprovim në ZRRE. Në këtë proces merren parasysh të gjithë parametrat relevantë, duke u bazuar në gjendjen faktike në terren, me qëllim të paraqitjes reale të gjendjes ekzistuese dhe planifikimit sa më të saktë të projekteve investive, të cilat më pas i nënshtrohen aprovimit nga ZRRE”, kanë njoftuar nga KEDS.
Ndryshe, banoret e kësaj lagje thonë se intervenime duhet të bëjnë edhe në disa nga shtyllat elektrike.






