Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti tha se me qeverisjen e tij kanë rritur ekonominë me nga një miliard euro për çdo vit, duke e krahasuar këtë ritëm me qeveritë e mëparshme, të cilat sipas tij “e kanë lodhur veturën duke e mbajtur vetëm në të parën”.
Në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje sonte në Prizren, Albin Kurti tha se për katër vjet qeverisjeje prioritet dhe sukses kanë pasur “nëna, fëmija, veriu, ushtria dhe bujqësia”. Ai ka shpalosur vendimet e para që do të merren në mbledhjen e parë të qeverisë, nëse ri-zgjidhet në mandatin e tretë.
“Qeverisja jonë për këta gati pesë vjet për çdo vit ia ka shtuar ekonomisë së Kosovës nga 1 miliard. Ekonominë e gjetëm shtatë miliardë në vitin 2021, sot që po flasim bruto produkti vendor është 11 miliardë, e vitin e ardhshëm bëhet 12 miliardë. Do të thotë që për çdo vit ekonomisë ia shtojmë nga një miliard. E të dashur qytetarë, ata para nesh u duhej tri vjet për një miliard t’ia shtojnë ekonomisë së Kosovës. Kjo do të thotë që kur jemi te rritja ekonomike, ne jemi trefish më të shpejtë se ata. Kjo do të thotë që kur jemi te rritja ekonomike edhe nëse kanë pasur drejtimin dhe kahun e duhur, ata e kanë lënë shtetin si veturë në të parën. E kanë lodhur veturën duke e mbajtur veç në të parën, e ne jemi trefish më të shpejtë se ata, ne jemi në të tretën”, u shpreh Kurti.
Kurti ka treguar vendimet e para që do të ndërmerr nëse rizgjidhet në postin e kryeministrit, raporton KosovaPress.
“Në vitin e ardhshëm, në mbledhjen e parë të qeverisë si kryeministër i juaji në mandatin e tretë do ta nënshkruaj vendimin për buxhetin 2026, katër miliardë apo dy të tretat më shumë sesa para pesë vjetësh. Do ta nënshkruaj edhe vendimin për Ligjin e ri për Çmimet Tavan, të cilin para më shumë se dy vjetësh Gjykata Kushtetuese na e rrëzoi, duhet ta rikthejmë tavanin për çmimet e produkteve bazë, të gjësendeve elementare ushqimore, ashtu që shporta e konsumatorëve prizrenas dhe në Kosovë anembanë të jetë e përballueshme. Vendimi i tretë do të jetë ai që mundëson që veteranët e UÇK-së, tash që procesi gjyqësor lidhur me listat e fryra të veteranëve po përmbyllet, të mos detyrohen të zgjedhin a duan punësim apo beneficion. Me ne do t’i kenë me fillimin e vitit të ardhshëm edhe benificionin, edhe punësimin”, tha ai.
Kurti premtoi edhe pagën e 13-të për sektorin publik, e cila tha se do të vjen jo në fund por fillim të vitit.
“Vendimi i katërt në mandatin e tretë, në mbledhjen e parë të qeverisë suaj, me mua kryeministër do të jetë paga e 13-të në sektorin publik për të gjithë shërbyesit publik që nis me buxhetin e vitit 2026. Dhe a e dini çfarë? Kjo pagë e 13-të nuk jepet në fund të vitit por në fillim të vitit… Vendimi i pestë i mbledhjes së parë do të jetë ai për një pako prej 200 milionë euro për përballje me inflacionin dhe me vështirësitë financiare për fëmijët që marrin shtesa, për studentët tanë, punëtorët në sektorin privat dhe për pensionistët e gjithashtu do ta kemi edhe rikthimin e skemës, e cila i shpërblen ata që kursejnë energji elektrike”, u shpreh Kurti.
Në këtë tubim në Prizren, kreu i LVV-së tha se një miliard euro janë paraparë për ushtrinë e Kosovës dhe se do të furnizohen edhe me helikopterë.
“I kemi edhe katër sistemi antitank. Dy turke, një gjermane dhe një amerikane. Katër lloj sistemi të antitank. Kur ne i blemë 10 kamionë multi-funksional prej Gjermanisë, na i dhanë edhe pesë të tjera donacion, një qytetar më kritikoi, tha se për ushtri duhen tanke. Tanket kanë munguar në Luftën e Parë Botërore, kanë tepruar në Luftën e Dytë Botërore. Në shekullin 21, tanku nuk është zgjidhja. Unë e di që Serbia ka jo pak tanke, por veçse shpenzon për t’i mirëmbajtur ata, sepse me sistemet tona antitank nuk kanë çka i vyejnë”, përfundoi Kurti.
Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje nesër do të përmbyllë fushatën e saj zgjedhore me një tubim në Prishtinë.







