Kandidatja për deputete nga Nisma Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj ka shprehur bindjen se ky subjekt politik do ta kalojë pragun zgjedhor në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka theksuar se kalimi i pragut është i rëndësishëm jo vetëm për Nismën, por edhe për pluralizmin politik në Kosovë.
Sipas saj, përkrahja qytetare për Nismën është në rritje të vazhdueshme.
“Kalimi i pragut të Nismës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por edhe për pluralizmin. Jemi të sigurt sepse çdo ditë po shohim gjithnjë e më shumë qytetarë që po i bashkohen thirrjes së kryetarit Limaj. Sot nuk jemi ne ata që i ftojmë qytetarët të na votojnë, por janë qytetarët ata që na kontaktojnë dhe shprehin mbështetjen për Nismën”, ka deklaruar Balaj-Halimaj.
Duke folur për bashkëpunimet politike pas zgjedhjeve, ajo ka bërë të ditur se Nisma Socialdemokrate nuk synon vendin e parë, por sigurimin e gjashtë deputetëve, me të cilët do t’i bashkohen grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Balaj-Halimaj ka shtuar se PDK-ja ka qenë e hapur për një bashkëpunim parazgjedhor, por për shkak të çështjeve të brendshme ky bashkëpunim nuk është realizuar para zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se ai do të ndodhë pas tyre.
“Ne po luftojmë për të fituar gjashtë deputetë dhe për t’iu bashkuar grupit parlamentar të PDK-së. Një grup më i madh parlamentar do të ndikojë në ndryshimin e rrjedhave politike dhe të politikëbërjes në Kosovë. PDK-ja ka qenë e hapur edhe tani, por për shkak të disa çështjeve të pambyllura brenda grupit nuk kemi pasur mundësi të bashkohemi në këtë fazë. Jam e sigurt se pas zgjedhjeve kjo do të ndodhë dhe madje e presim me shumë interes. Besoj se edhe ata kanë qenë të gatshëm, ashtu siç kemi qenë edhe ne, sepse këtë bashkim e ka kërkuar elektorati”, ka thënë ajo.
Sa i përket një koalicioni të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ajo ka deklaruar se, ndonëse ka pasur gatishmëri nga LDK-ja, Nisma e ka parë veten më afër PDK-së.
“Ka pasur gatishmëri nga LDK-ja për një koalicion parazgjedhor me Nismën, por ne nuk e kemi parë veten në LDK sa e shohim veten në PDK. PDK-ja është shtëpia politike e Fatmir Limajt dhe ne ndihemi të mirëpritur aty. Bashkëpunimi me PDK-në është krejtësisht ndryshe nga ai me LDK-në”, ka theksuar ajo.
Balaj-Halimaj ka bërë të ditur gjithashtu se ka pasur kërkesë për koalicion parazgjedhor edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por kjo ofertë është refuzuar.
“Ka pasur kërkesë edhe nga Vetëvendosja, por nuk e kemi diskutuar fare, pasi ishim të parapërcaktuar për një koalicion paszgjedhor me PDK-në”, ka përfunduar ajo./teve1.info/







