Opinioni publik në Prizren, kur flitet për sportin (pavarësisht sukseseve të KB Bashkimi, në të dy konkurencat, që janë për lakmi) veçmas për futbollin, sy e mendje i ka te Klubi i futbollit Liria.
Tradita 90-të vjeçare, bënë që vëmendja dhe interesi i publikut të sillet tek dhe rreth Lirisë, pavarësisht statusit juridik.
Ka kohë që Liria (nga viti 2023) është privatizuar, e në ndërkohë me 2024 riprivatizuar (shitur apo stërshitur te disa aksionar), por pavarësisht kësaj, klubi nuk po gjen qetësinë.
Liria, për herë të fundit është bërë kampion në vitin e largët 1995 (30-të vite më parë), në kohën e sakrificës, ku emrat si: Mirsad Çollaku, Astrit Berisha, Ergjan Dana, Nehari Toska, Ali Maralusha, Genc Tamniku, Ilir Bytyqi, Sami Buqaj, Ismail Berisha, Bujar Thaqi, Alev Nush, Bekim Bakaj, Nurtin Colak, etj. ishin jo vetëm pjesë e lavdisë së asaj kohe të vështirë segregacioni por që dhanë edhe spektakël e kënaqësi, në fushë në ato vite.
Pas luftës Liria, dy herë fitoi titullin (Kupa e Kosovës 2006 dhe 2010) por që qëndrueshmëri s’pati duke rënë nga elita (Superliga) e futbollit kosovar, e duke u rikthyer në elitë, por pa patur stabilitet.
Nga 2008-2013 Klubi u administrua nga Kompania ‘Drini”, që riktheu fillimisht statusin e skuadrës elitare, fitoi dhe Kupën e Kosovës, 2010 por që më pas shkaku i problemeve financiare, klubi u rikhtye tek Komuna.
Vitit 2015 deri më 2018 kohë kur klubi drejtohej nga disa ish-futbollistët e sakrificës, në krye me Mirsad Çollakun, pati stabilitetin në Superligë dhe Liria ishte konkuruese. Madje, në edicionin 2017/2018, kur klubi drejtohej nga z. Çollaku, kryetar i klubit atëherë (aktualisht kryetar i LRF-së dhe anëtar i KE të FFK-së), Liria kishte prekur pothuaj Evropën (pas pranimit në UEFA e FIFA), por që pengesë qe ‘futja e duarve të politikës’ në klub dhe pengimi i këtij suksesi.
Ndërkohë, klubi u privatizua por ai s’po gjenë rrugën e suksesit dhe po përpëlitet në rangun e dytë. Urojmë që në pranverë të rikthehet te rezultatet që i dëshiron publiku.
Privatizimi që u bë si u bë (herë tjetër për të) nuk zgjodhi asnjë telashe, pos asaj financiare. Organizimi profesional, është në fazë dëshirore.
Ndërkohë, problem në vete mbetet Shkolla e Futbollit, që dikur njihej si Akademia e Lirisë. Emri, Akademi është përdorur e keqpërdorur nga ‘ekspertë’ të ndryshëm që veq të tillë s’ishin kurrë.
Vitit 2014/2015 mbetet si viti i artë për Shkollën e Futbollit, kur pas një kohe të gjatë nxori hiq më pak se nëntë juniorë që ishin anëtarë të përfaqësueses së Kosovës dhe Shqipërisë.
Suksesi i dedikohet në radhë të parë trajnerëve Agron Beseni e Enis Gashi, që me modesti flasin për atë kohë.
Emrat si, Flamur Gashi, Ilir Mustafa, Lumbardh Dellova, Almir Kryeziu, Fitim Susuri, Albin Memaj, Ibrahim Gavazaj, Ardian Gashi, Roni Gashi, (pjesë e kombëtareve të Kosovës), Diellor Beseni e Zenel Gavazaj (të Kombëtares së Shqipërisë) në grupmoshat U-17 e U-19, i takojnë historisë, të kaluarës së lavdishme të këtyre trajnerëve e futbollsitëve.
Disa nga ata janë sot duke bërë karrierë si Dellova (Bullgari) Kryeziu (Ballkani), Mustafa (Drita) etj.
Nga atëherë nuk ka ndonjë përfaqësim në grupmoshat e Kosovës e as të Shqipërisë!
Tash e 10-të vite Shkolla e Futbollit Lirisë, ka vend numëruar. Madje Kadetët dhe Juniorët e saj, tash e tre vite janë pjesë e rangjeve më të ulëta, kadetët bëjnë gara në LRF të Prizrenit.
Ndërsa, Juniorët në Ligën e Parë, për dallim që këta dikur shkundnin Superligën dhe tmerronin skuadrat me lojë e gola.
Eksperimentet e shumta, me ndërrimin e trajnerëve bashkë me statusin juridik të klubit, u treguan të kundër efektshme.
Ndërsa, kemi të bëjmë me një klub puro privat nga 2023 dhe më pas me aksionar nga 2024, Liria dhe interesi i saj mbetet publik.
Liria, ka qenë brend në vete që nga vitet 70-ta.
Interesi institucional (pa marrë parasysh spektrin politk) duhet të kthejë vëmendjen në rimëkëmbjen e klubit dhe sidomos Shkollës së Futbollt, për t’i kthyer namin Lirisë dhe për të nxjerrë futbollistë, që vitet e fundit kanë munguar.
Duhet kthyer koha e lavdisë e të lartëpërmendurve, bashkë me yllin e Majorkas dhe Kombëtares, Vedat Muriqi ( I shnëdrruar tash në legjendë të gjallë), Lumbardh Dellovës etj.
*Në fotografi janë disa nga lojtarët e kësaj gjenerate të artë







