Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka publikuar një video të re në rrjetet sociale, ku ngre akuza të rënda ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me ngjarjet gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90.
Në këtë video, Margetiq përfshin pamje të një fëmije të vrarë gjatë rrethimit të qytetit, duke pretenduar se Vuçiq ndodhej në atë periudhë në Sarajevë, në pozicione nga të cilat vepronin snajperistët që godisnin civilë.
“Videoja përmban fotografinë e një djali të vrarë në Sarajevë, në kohën kur në pozicionet snajperiste ndodhej Aleksandar Vuçiq dhe njësia nën komandën e Slavko Aleksiqit, së cilës Vuçiq i përkiste si vullnetar,” shkruan Margetiq.
Gazetari kroat rendit disa pika që sipas tij përbëjnë fakte. “Aleksandar Vuçiq ishte atje në kohën kur po kryheshin këto vrasje me snajper. Ai ishte pjesëtar i njësisë që mbante civilët nën rrethim dhe organizonte ‘safari njerëzore’,” thuhet në statusin e tij.
Margetiq shton se Vuçiq ndodhej në pozicione nga të cilat goditeshin civilë, përfshirë edhe fëmijë. “Ai ishte në pozicionet ku ndodheshin foletë snajperiste nga të cilat u vranë civilë, përfshirë edhe fëmijë,” thekson gazetari.
Duke iu referuar asaj që e quan analizë kriminalistike, Margetiq thotë se Vuçiq, nga këndvështrimi kriminalistik, ishte në kohën dhe vendin e krimit – prandaj është ose kryerës, ose bashkëkryerës.
Gazetari thekson se këto deklarata dhe fakte janë përmendur gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 edhe nga vetë Vuçiq, ose nga bashkëpunëtorë dhe dëshmitarë të afërt me të. Videoja e publikuar përdoret për të ilustruar akuzat e ngritura ndaj presidentit serb.









