Mbi të rëndon akuza për vrasjen e kushëririt të tij.
Besnik Salihu, akuzohet se e vrau Salih Salihun në Dumnicë të Podujevës.
Në dhënien e mbrojtjes së tij, Salihu dha detaje rreth kësaj ngjarje që nuk i kishte thënë më parë.
Ai e mohon fajin, derisa shpjegoi versioninin e tij, për herë të parë se si ndodhi vrasja e kushëririt të tij nga persona të tjerë.
Ora 18:00 e 26 marsit të 2023, sipas Besnik Salihu, shënon fillimin e gjithçkaje.
“Ka qenë koha kur Salihu e ka parkuar veturën e tij afër livadhit të vet, edhe ia ka mësy n’kam me hapa të mëdhenjë me ecë shpejtë kah kufini livadheve”, tha i akzuari.
Pikërisht në atë periudhë, Besnik Salihu, pretendon se u vra Salih Salihu.
“A po na tregon në cilin vend është vra sipas teje?”, u shpreh avokati, Skender Musa.
“Aty janë do shqelne të trasha, aty është edhe lumi, një pus i madh ku e kanë hedh pasi e kanë vra. Pastaj kur e kanë pa se uji ka rrjedhje të madhe edhe e bartë kufomën poshtë ku i njëjti lum kalon nëpër oborre të disa kojshive të tij, ku kanë fëmijë të vegjël. Kanë kcy në ujë, prapë e kanë kapë edhe e kanë hyp përpjet, e mos me lanë fërkemë se ka pasë gurë, që me iu ikë qenve edhe policisë ma lehtë” , u shpreh i akuzuari Besnik Salihu.
I akuzuari, thotë edhe numrin e personave të përfshirë në vrasjen e Salih Salihut.
“Me sa i kena pa na, dhe unë personalisht, ata kanë qenë 5 ose 6, për shkak se tre i kanë ardhë mbrapa kah shpina, kurse dy kishin qenë duke e pritur në therra”, tha ai.
Ai jep detaje, edhe për veshjen dhe armatosjen e këtyre personave.
“Kishin qenë me kamuflazha, jakne të përthëkume deri këtu (bën me dorë deri tek hunda), me kapela, me doreza të trasha, i kanë çky edhe do trenerka i kanë mbështjellë këpucat që mos me lanë fërkema. Unë personalisht nuk kam mujt me i identifiku për shkak se ka qenë një distancë bukur e madhe edhe kish fillu m’u errësu. Pasi e kanë krye veprën, duke iu shmang kamerës së Bekimit, e kanë kthy armën e gjatë, si sot m’kujtohet, pushka ka qenë e bardhë, e ngjyrost, u duke si e hintë, druri i kaftë dhe tyta e zezë”, tha ai.
Gjithë këto skena, i akuzuari tha se i ka parë nga shtëpia e tij.
E pikërisht kjo, ngriti pikëpyetje tek gjykatësit.
“Si arrite m’i pa karakteristikat e armës-pushkës,përfshirë edhe ngjyrën, por nuk arrite me pa asnjë karakteristikë fizike të atyre personave?”, tha Gent Beka – anëtar i trupit gjykues
“Vetëm fytyrën nuk ua kam pa, se fizikisht kanë qenë ma të zhvillum se unë. Ndërsa, sa i përket armës e kom pa saktësisht, se derisa u munojke me i ikë kamerës së Bekimit, e ekspozoj kah unë, edhe e pashë çfarë modeli edhe ngjyrën, se aj model është kaherë”, tregoi i akuzuari.
Besnik Salihu, tregoi se pse nuk kishte treguar asnjëherë për këto para prokurorisë e hetuesisë.
“Këtë ngjarjen që e shpjegove sot, që the se kanë qenë disa persona, tre janë ardhë me veturë, dy kanë prit atje nalt. A e ke thanë para prokurorit?”, tha Gazmend Bahtiri- anëtar I grupit gjykues
“S’e kom thanë se s’mu ka dhanë mundësia”, u shpreh i akuzuari.
Në seancën e radhës që do të mbahet në muajin janar, pritet që edhe i akuzuari tjetër ta jap mbrojtjen e tij.






