Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se fabrika e re e municioneve në Jahoc të Gjakovës do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm, ndërsa prodhimi i parë pritet të dalë në fund të vitit 2026.
Deklaratat i bëri gjatë mbledhjes së qeverisë të enjten, në Ditën e Forcës, ku u miratua vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme të nevojshme për krijimin e zonës industriale të mbrojtjes.
Sipas Kurtit, miratimi i këtij vendimi hap rrugën për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve në Republikën e Kosovës, e cila do t’i shërbejë Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do të rrisë kapacitetet e mbrojtjes së vendit.
Ai theksoi se kontrata për fabrikën tashmë është nënshkruar me prodhuesin turk MKE, ndërsa shtoi se zona industriale nuk do të kufizohet vetëm te prodhimi i municioneve, por do të hapet edhe për investitorë të tjerë që synojnë prodhimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë dronë ushtarakë dhe civilë “Made in Kosova”.
“Me miratimin e saj, hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rris sigurinë tonë dhe do t’i ngris edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës. Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municionit, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarak dhe civil ‘Made in Kosova’”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë gjithashtu nënvizoi rritjen e ndjeshme të investimeve në mbrojtje gjatë mandatit të tij, duke theksuar se buxheti i mbrojtjes është katërfishuar ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar.
Ai bëri të ditur se FSK-ja është pajisur me sisteme moderne armatimi nga shtete anëtare të NATO-s.
Kurti paralajmëroi se në mandatin e ardhshëm qeverisës, plani i investimeve në sektorin e mbrojtjes do të arrijë mbi 1 miliard euro.
“Mbi 430 milionë euro blerje të armatimit në mandatin e parë janë shënuar. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje. Duke rritur ushtrinë e sigurojmë republikën, duke rritur FSK-në e forcojmë partneritetin me aleatët, urime të gjithëve Dita e Forcës”, përfundoi Kurti./teve1.info/







